Angli-Gjermani, sfida ka filluar…

25/06/2010 11:25

Përballja ndërmjet Anglisë dhe Gjermanisë do të jetë padyshim ndeshja më e rëndësishme e 1/8 në Kupën e Botës 2010. Edhe pse skuadrat do të zbresin në fushë të dielën, sfida ka filluar.

Të paktën në media… Një duel magjepsës, por në të njëjtën kohë i rrezikshëm për të dyja skuadrat, pasi njëra prej pretendenteve do të jetë e detyruar të kthehet në shtëpi përpara kohe.

Gazetat në Gjermani kanë ngritur në qiell rrjetën e Mesut Ozil, që i dha skuadrës së Joakim Lëv fitoren përballë Ganës dhe kreun në Grupin D. “Bild” përqendrohej te goli i shkëlqyer i talentit me origjinë turke të Verder Bremenit, me titullin “Ooooooozil, sa bukur!” dhe sfidonte Fabio Kapelon: “Angli, po vijmë!”. Tabloidi nuk harronte t’i jepte merita për fitoren e Gjermanisë edhe portierit Manuel Neuer, i cili “bëri pritje vendimtare”. Jo kaq euforike “Suddeutsche Zeitung”, që e përkufizon Gjermaninë “pak brilante”. Ndërsa “Allgemeine Zeitung” theksonte se Gjermania u kualifikua “mes drithërimave”. Për t’i hedhur benzinë duelit Angli-Gjermani, nuk kishte si të mungonte Franc Bekenbauer, i cili ka qenë një prej kritikuesve më të ashpër të skuadrës së Kapelos në fillim të aktivitetit. Pas deklaratës për barazimin 1-1 me SHBA-në (“Ajo që pashë kishte pak lidhje me futbollin”), “Kaizeri” ka sulmuar sërish “Tre Luanët”, duke thënë se “ata u treguan budallenj që e mbyllën grupin në vendin e dytë (për t’u përballur në 1/8-at me Gjermaninë) dhe se lojtarët anglezë janë të lodhur pas një sezoni rraskapitës”. Bekenbauer shpjegoi: “Gjermani-Angli duhet të luhet në gjysmëfinale dhe jo në 1/8-at. Por, për shkak se nuk e menduan gjatë këtë punë, anglezët gabuan dhe e mbyllën grupin në vendin e dytë. Lojtarë e Kapelos duken paksa të lodhur dhe kjo ndodh për një arsye: ata luajnë më shumë ndeshje se kolegët e Bundesligës, duke përfshirë edhe dy kupat kombëtare. Për këtë arsye, kur paraqiten në botëror ose europian janë të rraskapitur. Ndërkohë, lojtarët e Gjermanisë duken në formë më të mirë fizike. Ne i respektojmë këta kundërshtarë, por të jeni të sigurt se nuk u trembemi”.

Në anën tjetër, mediat britanike nuk shfaqen të trembura nga fakti që kundërshtari i radhës është Gjermania. “Na sillni gjermanët!” – ishte titulli i përdorur si nga “The Guardian” ashtu edhe nga “The Sun”. “Times” shpjegonte se lojtarët e Kapelos “mund të tregojnë se janë në lartësinë e duhur për një sfidë kaq të vështirë”, edhe sepse kontingjenti i drejtuar nga Lëv nuk është një skuadër “që nxit frikë te kundërshtarët”. Më e kujdesshme gazeta “The Independent”, që duke cituar fjalët e “Don Fabios” (“Nuk kemi më frikë”) ngrinte pyetjen: “A e ka të qartë trajneri se cili është kundërshtari i ardhshëm?”. Ndërkohë, “Daily Telegraph” përqendrohej te precedentët ndërmjet dy skuadrave, duke nënvijëzuar se përballjet me Gjermaninë kanë përfunduar rrallë në favor të “Tre Luanëve”. Kjo, pavarësisht finales së famshme të vitit 1966, e karakterizuar nga goli fantazmë i Xheofri Hurst. Pas asaj ndeshje eliminimet kanë qenë të shumta: në çerekfinale të 1970-s (2-3), në gjysmëfinale me penallti në Itali ’90 dhe gjithmonë nga pika e bardhë në gjysmëfinalen e Eu

Top Channel