Holanda nuk fal, kualifikohet edhe Japonia

24/06/2010 22:45

U zhvilluan ndeshjet e fundit të Grupit E, ku Holanda edhe pse e kualifikuar fitoi edhe takimin ndaj Kamerunit duke zënë vendin e parë me pikë të plota në këtë grup. Ndërkohë në ndeshjen tjetër Japonia mund Danimarkën me rezultatin 3-1 duke u rënditur pas Holandës dhe duke siguruar një vend në 1/8 e Botërorit afrikan.

Tulipanët nuk kanë lëshuar pe as në ndeshjen ndaj kamerunasve të eleminuar që para këtij takimi. Goli i parë mbërrin në minutën e 36-të me anë të Van Persit i cili godet me të djathtën dhe topi përfundon në rrjetën e afrikanëve. Pjesa e parë mbyllet me këtë rezultat.

Në fraksionin e dytë, Kameruni tregohet më agresiv në fushë dhe falë kësaj fiton një 11 metërsh që transformohet në gol nga Samuel Eto i cili barazpëshon rezultatin. Por 6 minuta nga përfundimi i kohës së rregullt, Huntelar, sulmuesi që ka ngrohur më shumë stolin në kombëtaren portokalli këtë botëror, shënon golin e avantazhit për Holandën. Minutat në vazhdim nuk sjellin ndryshim rezultati, Holanda fiton 2-1 dhe në krye të Grupit E përgatitet për përballjen me Sllovakinë që bëri surprizën duke eleminuar mbajtësit e trofeut, Italinë.

Në takimin tjetër të këtij grupi, Danimarka dhe Japonia diskutuan mes tyre emrin e dytë të të kualifikuarit. E pikërisht aziatikët, edhe pse u mjaftonte një barazim për të vazhduar më tej për shkak të golevarazhit më të mirë se danezët, fituan me rezultatin 3-1. Golat u shënuan nga Honda dhe Endo në pjesën e parë të takimit dhe Okazaki në pjesën e dytë të saj. Për nordikët shkurtoi diferencën përkohësisht veterani Tomason.

Pas kualifikimit Japonia do të përballet me Paraguajin në fazën e mëtejshme të botërorit.

Të premten luhen takimet e treta të dy grupeve të fundit, grupit G dhe grupit H. Në Grupin D, në orën 16:00 vihen përballë Brazili dhe Portugalia, në një ndeshje ku iberikëve një humbje mund t’i kushtojë kompeticionin. Ndërkohë Bregu i Fildishtë përballet me Korenë e Veriut, ku vetëm një fitore tenistike dhe humbja e Portugalisë me Brazilin do t’i siguronte vazhdimin e metëjshëm në Botëror.

Në Grupin H, në orën 20:30, Kili kryesues i këtij grupi përballet me Spanjën e vendit të dytë, ndërsa Zvicra me Hondurasin

Top Channel