Ermal Kuqo kërkon Shqipërinë

23/06/2010 15:00

Ermal Kuqo kthehet në atdhe. Pas një emigrimi të kushtëzuar prej disa vitesh, në Kroaci, Spanjë e Turqi, madje dhe si pjesëtar i ekipit kombëtar të Turqisë, ylli i basketbollit evropian ka zgjedhur të bëhet pjesë e kombëtares shqiptare, duke kërkuar të japë kontributin e tij në ngritjen e këtij sporti në nivel ndërkombëtar.

Basketbollisti i Efes Pilsen në kampionatin turk ka bërë një kërkesë në organizmin më të lartë të basketbollit botëror FIBA që të aktivizohet me skuadrën e vendlindjes në aktivitetet ndërkombëtare, gjë të cilin nuk kish mundur ta bënte disa vjet më parë, teksa Shqipëria nuk siguronte mundësinë e aktivizimit në aktivitete ndërkombëtare.

Lajmi është konfirmuar për Top Channel nga vetë Kuqo, i cili me shumë entuziazëm ka thënë nëpërmjet telefonit që është i lumtur që në verën e këtij viti ai do të jetë pjesë e kombëtares shqiptare për eliminatoret e Divizionit B.

Kuqo njihet në arenën ndërkombëtare si një ndër qendër-sulmuesit më të fortë, ai është aktivizuar me Fenerbahçe, Split, Efes Pilsen, Valencia etj.

Që nga viti 2004 ka qenë pjesë e kombëtares së Turqisë me të cilën është ativizuar edhe në botërorin e basketbollit ne vitin 2006.

Top Channel