Sergei Bubka për vizitë në Tiranë

22/06/2010 12:20

Ka mbërritur në Tiranë Sergei Bubka ish-gjashtë herë kampioni i botës në atletikë, Kampion Olimpik dhe 35 herë rekordmeni absolute i kërcimit me shkop.

Atleti ukrainas është një ndër emrat e rrallë të historisë së atletikës me shifrat që ka arritur në karrierë si atlet. Emri i tij gjendet në librin e artë të kërcimit me shkop pasi është i pari atlet mashkull që ka arritur të kalojë lartësinë prej 6 m dhe ende mban rekordin me lartësinë 6 me e 14 cm dhe për salla të mbyllura 6 metra e 15 cm. Në vizitën e tij në Tiranë, Bubka është me statusin e zv.presidentit të federatësNdërkombëtare të Atletikës, presidenti i Federatës së Atletikës së Ukrainës dhe këshilltar i kryeministres së vendit të tij për sportin. Në një intervistë për Top Channel Sergei Bubka qartëson objektivin e vizitës së tij.

“Jam shumë i kënaqur që jam këtu për herë të parë. Besoj se do të kaloj mirë me miqtë e mi të atletikës këtu. Dua të theksoj se kam ardhur për të ndihmuar atletikën shqiptare dhe për ta promovuar atë. Ndoshta do të mund të organizojmë aktivitete atletike në vendin tuaj. Di që në Shqipëri ekziston atletika edhe pse jo në nivele të larta, por ne do të kontribuojmë për ta përmirësuar”, u shpreh Bubka.

Për të arritur këto nivele kaq të larta të sportit të altetikës, Bubka jep një këshillë të qartë e të thjeshtë.

“Këshilla ime është shumë e thjeshtë, duhet të punoni akoma më shumë”, u shpreh Bubka.

Top Channel