Franca largohet me turp, Uruguaji e Meksika kalojnë

22/06/2010 17:55

Franca është skuadra e parë e madhe që largohet nga ky botëror duke marrë me vete një mal me kritika dhe rezultate zhgenjyese.

“Gjelat” e Domenech nuk kanë mundur ta shfrytëzojnë në dobi të tyre fitoren 1-0 të Uruguajit ndaj Meksikës, duke i dhënë lamtumirën kompeticionit në mënyrën më të keqe. Blutë u mundën në ndeshjen e fundit kundër Afrikës së Jugut me rezultatin 2-1 ku autori i vetëm i golit për Francën në këtë botëror është Malouda.

Gjithcka nisi keq për nënkampionët e botës, të cilët e nisën takimin pa shumë dëshirë për të fituar. Situata u komplikua edhe më shumë kur Gourcouff doli me karton të kuq në minutën e 26-të. Kjo u krijoi më shumë hapësira vendasve të cilët realizuan dy gola me Khumalo dhe Mphela në pjesën e parë, duke shpresuar në një kualifikim të mundshëm. Por 45 minutëshin e dytë kombëtarja europiane shënoi golin e vetëm të këtij botërori, duke u larguar pa lënë asnjë shenjë dhe shumë zhgënjim.

Në ndeshjen tjetër Uruguaj-Meksikë ishte skuadra e Tabarez ajo që arriti të marrë tre pikë falë golit të Suarez në minutën e 43-të, duke betonuar kualifikimin dhe kreun e Grupit A. Meksika ashtu si edhe Afrika e Jugut ka katër pikë por kualifikohet për më tej pasi golavarazhi i amerikano-latinëve është 3-2, ndërsa ai i afrikanëve 3-5. Kundërshtarët e Uruguajit dhe Meksikës do mësohen sot në darkë pas ndeshjeve Argjentinë-Greqi dhe Nigeri-Kore e Jugut. 

Top Channel