Rikthehen Kampionët e Europës

21/06/2010 22:30

Pas humbjes shokuese me Zvicrën, në ndeshjen e parë të Grupit  H, spanjollët Kampionë të Europës rikthehen tek fitorja dhe sigurojnë 3 pikë ndaj Hondurasit në ndeshjen e tyre të dytë.

Spanjollët shënuan dy herë në portën e kombëtares modeste të Hondurasit, që të dy me anë të sulmuesit të sapo blerë prej Barcelonës, David Villa. Goli i parë u shënua në minutën e 17 të pjesës së parë, ndërsa i dyti erdhi vetëm 6 minuta nga nisja e fraksionit të dytë të takimit.

Ndeshja mund të kishte përfunduar me një rezultat më të thellë për spanjollët, por gjendja jo e mirë e Torres, që shpërdoroi disa raste goli përballë portës kundërshtare dhe humbja e një 11 metërshi në minutën e 62-të prej David Vilës lanë në fuqi rezultatin 2-0.

Pas kësaj fitorje Grupi H kryesohet prej Kilit me 6 pikë, i ndjekur nga Spanja e Zvicra me nga 3 pikë dhe Hondurasi 0 pikë.

Të martën nisin ndeshjet e treta dhe të fundit të fazës në grupe, ku do të luhen dy takimet e Grupit A, Francë-Afrika e Jugut, Meksikë-Uruguaj në orën 16:00, dhe ndeshjet e Grupit B, Argjentinë-Greqi e Nigeri-Koreja e Jugut në orën 20:30.   

Top Channel