Revoltë në kombëtaren franceze

20/06/2010 19:30

Rriten tensionet në kombëtaren franceze pas përjashtimit të Nikolas Anelka, i cili fyu rëndë trajnerin Domenek në pushim të ndeshjes me Meksikën.

Të dielën lojtarët transalpinë nuk kanë pranuar të dalin në stërvitje, në shenjë solidariteti me sulmuesin Anelka.

Kapiteni Patrik Evra ka patur një zënkë me përgatitësin atletik Robert Duverne dhe vetëm ndërhyrja e trajnerit Domenek ka evituar degjenerimin e situatës.

Pas këtij momenti Evra së bashku me lojtarët e tjerë të skuadrës kanë përshëndetur tifozët e paktë që kanë qenë prezentë në këtë situatë duke lënë të vetëm në mes të fushës përgatitësin atletik Duvernë.

Këtë situatë të pakëndshme e ka ndjekur edhe i deleguari i federatës franceze të futbollit Zhan Luis Valentin, i cili ka dhënë menjëherë dorëheqjen nga kjo detyrë.

Më pas lojtarët francezë përmes një deklarate për shtyp të lexuar nga trajneri Rajmond Domenek kanë shprehur pakënaqësitë në lidhje me vendimin e federatës franceze në lidhje me përjashtimin e Anelkas.

“Drejtuesit e federatës nuk janë munduar asnjëherë të mbrojnë këtë grup lojtarësh. Përsa i përket përjashtimit, ata nuk u konsultuan me ne, por e morën atë vendim vetëm me atë çka doli në shtyp. Jemi të vetëdijshëm se çfarë përfaqësojmë dhe ju premtojmë se Franca do të rigjejë krenarinë e saj të martën me një prezantim pozitiv tonin, përfundon deklarata për shtyp e lexuar nga trajneri Domenek dhe që mbante firmën e 22 futbollistëve.

Top Channel