Shqipëria, çfarë zhgënjimi…

18/06/2010 19:50

Nuk kaluan as 48 orë që nga çasti kur Ministrat e Jashtëm përfshinë në konkluzionet e tyre iniciativën e Parlamentit Europian për Shqipërinë, deri në komunikatën e përbashkët të Daul dhe Schultz, të cilët hiqnin dorë nga përpjekjet e tyre për të ndihmuar dialogun mes partive shqiptare.

“Jemi shumë të befasuar sinqerisht që një iniciativë e tillë, besoj se është hera e parë që dy grupet kryesore në Parlamentin Europian angazhojnë gjithë vullnetin e tyre politik, me mbështetje të plotë të Komisionit dhe Përfaqësueses së Lartë dhe që kjo iniciativë nuk u përdor, nuk hyri në punë, nuk u pranua pozitivisht nga partitë e përfshira. Për ne është e vështirë që të kuptohet kjo kur Shqipëria ka nevojë për stabilitet, kur Shqipëria ka nevojë për një marrëveshje mes qeverisë dhe opozitës. Ndaj duhet reflektuar ndaj situatës së krijuar e duhet gjetur pa dyshim një rrugëdalje, sepse bllokimi aktual nuk çon asgjëkundi”, është shprehur Kristina Gallak, zëdhënëse e presidencës spanjolle.

Në fund të mandatit, presidenca spanjolle tentoi disa herë që të përcillte mesazhe politike pozitive ndaj Shqipërisë veçanërisht për heqjen e regjimit të vizave, si në takimin e Sarajevës ashtu dhe në Këshillin e Ministrave që u mbajt në Luksemburg.

“Shqipëria mori mesazhe shumë të mira nga Europa. Mori mesazhin e Liberalizimit të Vizave dhe që opinioni për kandidaturën po bëhet. Këto ishin mesazhe pozitive që presidenca spanjolle i mbështeti fort përballë qytetarëve shqiptare, liderëve e të gjithë njerëzve politikë të vendit. Për këtë arsye ajo që kërkuam, ajo që ne mendojmë se do ishte normale, është një përgjigje ndaj çështjes që shtrohet në tavolinë, që duhet të ekzistojë dialogu politik. Ne mundëm të kapërcejmë krizën e mungesës së opozitës në parlament, ia dolëm që të kapërcejmë krizën e grevës së urisë, por tani ajo që na mungon është vullneti politik që të dyja palët të punojnë bashkë, sepse rruga europiane u tregua si për vizat dhe për opinionin që po përpilohet. Ne jemi të zhgënjyer e duam të përcjellim një mesazh të qartë që u takon liderëve shqiptarë të qeverisë dhe opozitës, që të kapërcejnë situatën aktuale”, deklaroi Gallak.

Zëdhënësja e presidencës spanjolle të BE-së argumenton se situata politike në vend do të ndikojë dhe në vendimarrjen për vizat.

“Çështja është që pasi të analizohen të gjitha aspektet teknike, që Shqipëria kërkohet ende që t’i përmbushë për liberalizimin e vizave nga Komisioni, i cili i ka treguar qeverisë se ka disa vende ku duhet punuar në mënyrë që Komisioni vetë të bëjë propozimin përfundimtar për liberalizimin, kjo gjë do t’i kalojë për diskutim parlamentit. Tashmë është bashkëvendimarrje dhe për të dhënë vendimin e tyre europarlamentarët do të duan të dinë se cili është impakti i jetës politike në Shqipëri përpara se të ndërrmarin një vendim të rëndësishëm kompleks, shumë të rëndësishëm e pozitiv për qytetarët shqiptarë. Ndaj natyrisht që duhet punuar fort për të përmbushur plotësisht të gjitha aspektet teknike, por duhet menduar edhe për nivelin politik, duhet përparuar drejt këtij dialogu politik që për momentin është tërësisht i bllokuar”, është shprehur Gallak.

Përsa i takon opinionit mbi statusin kandidat, zëdhënësja e presidencës spanjolle përsëriti se sipas proçedurës analiza e komisionit do të bazohet në kriterin politik të Kopenhagenit dhe Shqipëria deri tani nuk e ka përmbushur sipas saj.

Top Channel