Anglia e Kapelos zhgënjen sërish

18/06/2010 22:25

Anglia e Don Fabios nuk ka shkuar më shumë se një barazim pa gola në ndeshjen e dytë të Grupit C kundër Algjerisë.

Megjithë përpjekjet dhe goditjet nga distanca të Runi & Co, ishullorët nuk arritën të gjejnë rrjetën e portierit Bohli, kjo falë edhe vendosjes mjaft të mirë të algjerianëve në fushë, duke mos u lejuar hapësira yjeve të skuadrës së Kapelos.

Në minutën e 83 tekniku italian, në kërkim të 3 pikëshit hedh në fushë edhe sulmuesin shtatlartë të Totenhemit, Piter Krouç. Por as futja e Krouç nuk i dha avantazhin Anglisë. Ndeshja mbyllet në barazim pa gola dhe dhurata e “tre luanëve” për kapelon me rastin e 64 vjetorit të tij është vetëm 1 pikë.

Pas kësaj ndeshje, Sllovenia udhëheq grupin me 4 pikë, e ndjekur nga Anglia dhe SHBA me nga 2 pikë dhe Algjeria 1 pikë. Kualifikimi mbetet i hapur për të katra kombëtaret e Grupit C dhe përcaktuese do të jenë ndeshjet e treta, ku Anglia do përballet me Slloveninë dhe SHBA me Algjerinë.

Të shtunën luhen ndeshjet e Grupit E, Holandë-Japoni në orën 13:30 e Kamerun-Danimarkë në orën 20:30, si dhe ndeshja e Grupit D, Ganë-Australi në orën 16:00. 

Top Channel