Auditi i Brendshëm gjobit 393 zyrtarë

16/06/2010 08:15

Korrupsioni në administratën e lartë të shtetit po dëmton buxhetin në disa qindra miliona lekë.

Për Auditin e Brendshëm situata po vjen drejt përkeqësimit, pasi po përsëriten rastet e shkeljes së ligjit, edhe pse po jepen gjithnjë rekomandime për zgjidhje të problemeve. Një raport i punës së kryer në vitin 2009, evidenton problemet që has Drejtoria e Përgjithshme e Auditit, me seli në Ministrinë e Financave, e cila pasi ka kontrolluar rreth 40 institucione, del me konkluzionin se buxheti është dëmtuar në masën 1 miliard lekë, me anë të 35 mijë vendimeve antiligjore.

Në raport pranohet hapur se ka përplasje me strukturat e Kontrollit të Lartë të Shtetit, për shkak të mungesës së bashkëpunimit dhe koordinimit të informacionit rreth programit të inspektimeve. Pas konstatimit të shkeljeve, Auditi i Brendshëm ka marrë masa për gjobitjen e 393 zyrtarëve të administratës publike dhe ka paralajmëruar largim nga puna për rreth 2500 punonjës.

Në ushtrimin e funksionit të tyre, strukturat e auditimit kanë nxjerrë në  pah hallkat më të dobëta dhe jo funksionale të sistemit, të cilat kanë sjellë dhe pasojat e tyre negative në përdorimin me dobi dhe kursim të fondeve publike. Shkeljet më të mëdha kanë ndodhur në fushën e disiplinës financiare me 616 milionë lekë, në evazionin fiskal me 290 milionë lekë dhe nga mungesa e dëmtime të tjera në masën 125 milionë lekë.

“Për kategorinë e gjetjeve të sipërpërmendura, vlerësohet se peshën kryesore e zënë gjetjet në ato fusha që në planin vjetor kanë qenë përcaktuar si fusha me risk më të lartë”, thuhet në raport. Sektorët me risk të lartë shkeljeje janë sistemi i pagave dhe pagesave të tjera për punonjësit (veçanërisht llogaritjet e dietave brenda dhe jashtë vendit, orët jashtë orarit, shpërblime etj.), prokurimeve, tatim-taksave dhe te transaksionet monetare në veprimet me arkën dhe bankën.

“Gjetjet e përsëritura thuajse për të njëjtat fusha tregojnë për një punë jo eficente në zbatimin e rekomandimeve të auditimit, si dhe në menaxhimin e riskut nga drejtuesit e subjekteve publike”, deklaron Drejtoria e Përgjithshme e Auditit.

Gjatë vitit 2009, strukturat e auditimit të brendshëm kanë kryer 2075 misione auditimi kundrejt 2294 misione të programuara, që e shprehur në përqindje përbën 91 për qind të planit vjetor. Ndërkohë që numri i subjekteve që nuk janë audituar brenda frekuencës së pranuar (dy vjet) në fund të 2009-s mbetet 107 subjekte.

Mosrealizimi i planit të kontrollit nga auditi lidhet edhe me faktin e mungesës së rakordimit me KLSH-në. Sipas Auditit të Brendshëm, ndonëse tendenca duket e qëndrueshme, në mosrealizimin prej rreth 9 për qind të auditimeve të planifikuara vlerësohet të kenë ndikuar faktorët e ndryshëm, si prioritetet e institucioneve, mungesa e kapaciteteve etj. Një tjetër arsye lidhet me KLSH-në, që auditi e komenton si: “Mbivendosja e misioneve të auditimit të parashikuara nga strukturat tona me auditimet e kryera nga institucione të tjera, veçanërisht nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (në rreth 35% të rasteve).

Ky kufizim thekson edhe njëherë rëndësinë e shkëmbimit të informacionit midis institucioneve audituese, me qëllim që të rritet efektiviteti i procesit që në fazën e planifikimit. Po ashtu, “ndërhyrja e titullarëve në implementimin e planeve të auditimit, duke kërkuar auditime të rëndësisë së veçantë jashtë planeve (18% e rasteve)”, është një pengesë për zhvillimin normal të punës nga ana e auditit.  

Shkeljet më të mëdha kanë ndodhur në fushën e disiplinës financiare me 616 milionë lekë dhe në tatime, me 290 milionë lekë
 

Top Channel