Sllovakia zhgënjen me Zelandën e Re

15/06/2010 15:25

Sllovakia nuk arrin të marrë kryesimin e Grupit F pas barazimit 1-1 ndaj modestëve të Zelandës së Re.

Kombëtarja sllovake që shkel për herë të parë në fushën e blertë si një skuadër botërori, e mbylli pjesën e parë në barazim 0-0 ku nuk u tregua pothuajse asnjëherë e rrezikshme në portën e Paston.

Me fillimin e pjesës së dytë, sllovakët e kuptuan se duhej të harxhonin më shumë energji për t’i marrë 3 pikë skuadrës nga Oqeania. Goli i avantazhit erdhi në minutën e 49-të nga Vittek pas një aksioni ku pozicioni i tij i dyshimtë jashtë loje u cilësua si i rregullt nga gjyqtari Damon.

Minutat e mbetura Sllovakia nuk e menaxhoi dot ndeshjen duke marrë vetëm 1 pikë, pasi në minutën e tretë shtesë mbrojtësi Ried realizoi me kokë pas një krosimi nga e majta e sulmit.

Kjo ishte një goditje e rendë për Sllovakinë, e cila do ta ketë më të vështirë rrugëtimin në këtë botëror, pasi në Grupin F ndodhen edhe Italia e Paraguaji. Nga ana tjetër, Zelanda e Re rezulton të jetë surpriza e parë e këtij botërori pasi është skuadra që kuotohet më pak.

Top Channel