Brazili humbet euforinë

15/06/2010 12:00

I shkreti Rodrigo, zëdhënësi i ‘seleçaos’ braziliane, nuk di më se si të mbrohet: “Ju them se nuk është faji im. Nuk është një vendim i imi, nuk mund të bëj asgjë. Kërkojini shpjegime trajnerit, nëse dëshironi”.

Konferenca e shtypit e Brazilit sapo përfundoi, por gazetarët rrethojnë zëdhënësin. Atmosfera është e tensionuar, shumë e tensionuar për një skuadër që jepet si superfavorite në prag të debutimit të sotëm në mbrëmje ndaj Koresë së Veriut.

Por problemi është i madh, të paktën sipas gazetarëve amerikanojugorë. Për të tretën herë radhazi, Dunga, trajneri popullor, që djemtë e tij e quajnë “profesori”, ka vendosur ta zhvillojë stërvitjen me dyer të mbyllura.

Nuk duhet te ketë asnjë që ta bezdisë apo të fusë hundët në fushë. Është e papranueshme. Vetëm Mario Zagalo, gjatë Botërorit 1998 në Francë kishte guxuar ta bënte një gjë të tillë, por shpërthimi i revoltës së mediave pas përballjes së parë me situatën e detyroi të ndryshonte menjëherë programin. Dungën jo; ai është kokëfortë dhe as nuk ia ndien për protestën e gazetarëve. Porta ishte dhe mbeti e mbyllur. “Profesori, mundohet të shpjegojë interisti Maikon, është disi si Murinjo. Kur e vendos një gjë, nuk e ndryshon më. Ka vendosur që stërvitjet të zhvillohen me dyer të mbyllura dhe ne nuk mund të bëjmë asgjë për ta bindur të ndryshojë ide”.

Rodrigo i falënderon të gjithë dhe kthen shpatullat, por gazetarët nuk e hapin rrethimin. Sipas tyre, në lojë nuk është vetëm liria e fjalës dhe e informacioneve për skuadrën braziliane, por gjithë përfundimi i ekspeditës afrikanojugore. Gazetarët brazilianë janë të bindur se ‘Seleçao’ është e ndarë: lojtarët janë të ndarë në grupe, që nuk e honepsin njëra-tjetrën dhe kjo rrezikon të hedhë në erë botërorin e tyre. Nëse vetëm kronistët do të mund të shikonin stërvitjet dhe t’i tregonin botës rivalitetin dhe urrejtjen që po përçan Brazilin, ndoshta gjërat do të rregulloheshin nën presionin e opinionit publik. Por Dunga nuk është dakord: i mban jashtë portës dhe kështu vetëdënohet me faliment, pa lejuar mediat të përgatisin vendin për tragjedinë që po bëhet gati të bjerë mbi tifozët. Natyrisht, versioni i Dungës, i theksuar dhe nga e zëdhënësit dhe i konfirmuar nga Maikon, është diametralisht i kundërt. Sa për të filluar, sipas interistit, grupi nuk ka qenë kurrë kaq i bashkuar. Edhe në grumbullimet “profesori” ka evituar përplasjet e rrezikshme që mund të krijojnë rivalitete të brendshme dhe prandaj tani secili e di vendin e tij dhe është i lumtur që e ka. Por gazetarët janë gjithnjë në gjueti të polemikave dhe kur nuk i gjejnë i shpikin. Disa kohë më parë, për shembull, Felipe Melo i futi një shkelm Kakasë gjatë stërvitjes. Gjëra që ndodhin, incidente të pavullnetshme, sipas zëdhënësit të ‘seleçaos’. Por atë ditë kronistët e kombëtares nuk kishin asgjë më të mirë për të bërë dhe prandaj na montuan në një tragjedi me shumë akte, ku goditja ishte vetëm një shenjë e parë e një mërie të thellë që ndan skuadrën dhe kërcënon ta fundosë. Cilido që të jetë versioni i drejtë, përpara historive të tilla bëhet e vështirë të kritikosh sjelljen e Dungës. Nëse Felipe Melo dhe Kaka urrehen vërtet, nuk është e qartë se çfarë problemi ka trajneri ta bëjë publike për të gjithë botën përmes syve vigjilentë të shtypit brazilian. Ndërsa, nëse lojtarët e tij duan aq shumë, siç betohet Maikon, nuk kuptohet pse u fshihet gjithçka gazetarëve, duke u lënë mundësinë të shpikin rivalitete e hakmarrje që nuk ekzistojnë. Megjithatë e vërteta do të fillojë të zbulohet që sonte, kur ambiciet e Dungës do të vihen në provë përballë të panjohurve të Koresë së Veriut. “Njerëzit e mistershëm”, i ka përkufizuar revista zyrtare e FIFA-s, njëlloj si ata që në 1966-n eliminuan Italinë e hutuar nga polemikat.

Top Channel