Gjermania shkatërron Australinë

13/06/2010 22:30

Gjermania shfaq pretendimet e saj në botërorin afrikan. Kombëtarja e Hoakim Lëv, në debutimin e saj në “Afrika 2010”, ka shkatërruar 4 me 0 Australinë.

Seria e golave u hap nga Lukas Podolski që në minutën e 8-të të takimit. Ish-sulmuesi bavarez shfrytëzoi mjaft mirë një asist të dhënë prej sulmuesit tjetër, Tomas Myler. Goli i dytë vjen në minutën e 27, kur Miroslav Klose dyfishon rezultatin për gjermanët. Pjesa e parë mbyllet 2-0.

Në pjesën e dytë, gjërat lehtësohen edhe më shumë për Gjermaninë pasi në minutën e 56 australiani Tim Kahill ndëshkohet me kartonin e kuq duke lënë skuadrën e tij me 10 lojtarë në fushë dhe në disavantazhin e dy golave. 12 minuta nga ky episod, Podolski i kthen “kusurin” Tomas Mylerit teksa i dhuron një asist që ky i fundit e shndërron në gol, duke trefishuar rezultatin dhe për të ardhur tek goli i 4-ët vetëm 2 minuta më vonë që mban për autor, Kakaun.

Në minutat në vazhdim gjermanët mund të kishin shënuar edhe golin e pestë, por disa raste goli brenda zonës nuk u shfrytëzuan siç duhet nga lojtarët e Lëv.

Pas këtij rezultati Grupi D udhëhiqet nga Gjermania dhe Gana me nga 3 pikë, duke lënë në kuotën e 0 pikëve, Serbinë dhe Australinë.

Botërori rikthehet të hënën në SuperSport me ndeshjet e Grupit E, Holandë-Danimarkë në 13:30 e Japoni-Kamerun në orën 16:00 dhe ndeshjen e Grupit F, Itali Paraguaj në orën 20:30.

Top Channel