Etapa e 5-të e Rally Albania

12/06/2010 17:25

Shembja e një ure dhe rrëshqitja e një pjese të rrugës ka reduktuar etapën e pestë të garave Rally Albania, por kjo gjë nuk i pengoi pilotët të dhurojnë spektakël.

Gjatë 205 kilometrave të përshkuar, në kategorinë e makinave shqiptari Florian Voko me makinën e tij Mitsubishi DID ka qenë më i shpejtë.

Edhe pse ka patur probleme gjatë garës, Voko e përshkroi cirkuitin për 1 orë, 49 minuta e 23 sekonda, duke lënë në vendin e dytë në këtë etapë, Almir Dervishaj.

Koha e tretë më e mirë për kampionin në fuqi Renti Sina që ruan gjithsesi kreun e renditjes së përgjithshme.

Në kategorinë e motorëve ka vazhduar dominimi italian me 3 vendet e para që u ndanë nga Kozentino, Filoza dhe Lukeze, të cilët janë distancuar me shumë minuta ndaj rivalëve të tjerë.

Duke përjashtuar suprizat, këta 3 pilotë do të ndajnë mes tyre edhe shkallët e podiumit në fundin e aktivitetit.

Incidentet kanë shoqëruar edhe etapën e pestë, e cila ka kaluar në rrugët malore të Mokrës, më pas drejt Librazhdit e deri në rrugën nacionale drejt Tiranës.

Është aksidentuar piloti italian Vinçenco di Fabricio, gjatë rrugës në fshatin Trebinjë.

Ai ka marrë menjëherë ndihmën mjekësore dhe fatmirësisht nuk ka probleme për jetën.

Top Channel