Uruguai sfidon Francën e 1001 problemeve

11/06/2010 11:40

Mbrëmja e sotme do të vërë përballë Uruguain dhe Francën në ndeshjen e dytë të Grupit A. Oskar Uashington Tabarez i ka përgatitur djemtë e tij.

“Për ne kjo është ndeshja më e rëndësishme e kompeticionit. E respektojmë Francën. Skuadra e Domenek është nënkampione bote. E njohim mirë mënyrën e tyre të lojës. Por jemi të gatshëm ta mundim Francën. Ky është objektivi ynë. Kjo nuk do të jetë e lehtë, por jo e pamundur”.

Ndërsa për Rajmond Domenek, “një dështim i Francës nuk duhet të ketë asnjë justifikim, sepse lojtarët kanë zhvilluar gjithçka në kushtet më të mira të mundshme”. Kombëtarja e tij është shqetësuar shumë kohët e fundit nga polemika të brendshme, të cilat kanë krijuar një atmosferë jo të mirë. Gjithsesi trajneri është munduar të zbusë situatën dhe të gjejë harmoninë mes futbollistëve të tij. Përballja me Uruguain do të jetë e para për Francën. Amerikano-latinët shikohen si rivali më i fortë i francezëve në Grupin A, ku bashkë me ta bëjnë pjesë edhe Afrika e Jugut dhe Meksika.

Top Channel