Lipi: Nuk jemi favoritë

10/06/2010 11:30

“Mos ma kërkoni formacionin, pasi nuk jua jap kurrë. Nuk e bën askush, s’kam pse ta bëj unë”.

Marçelo Lipi, nga Afrika e Jugut, në fillim thotë se është i karikuar më shumë se sa në Gjermani, ku befasoi të gjithë me fitoren, pastaj e demonstron atë me fjalë në konferencën e shtypit pas stërvitjes së parë në Afrikë.

Mbi grupin aktual shprehet: “Nga talentet që mund të ndryshojnë perspektivën e Italisë nuk ka mbetur asnjë”. Refuzon edhe akuzat për një ekip në moshë të madhe. “Shumë lojtarë ekspertë? Kemi vetëm 9, që kanë fituar Botërorin katër vite më parë, nuk kam parë një skuadër, që ka fituar Kupën e Botës dhe në edicionin pasardhës të mos ketë zbritur në fushë ndonjë lojtar protagonist në edicionin paraardhës”. Ai flet gjithashtu dhe mbi favoritët e Botërorit.

“Abete thotë se nuk jemi favoritë? Jemi dakord. Nuk jemi kurrë, në mënyrë absolute. Këtë herë janë Brazili dhe Spanja, pastaj janë 5-6 skuadra si Argjentina, Anglia, Holanda, Franca dhe Italia. Nuk fitojnë gjithmonë vetëm cilësitë teknike. Ne kemi fituar 4 herë dhe kemi humbur në Pasadena fitoren ndaj Brazilit, që do të na kishte mundësuar të linim pas amerikanojugorët në renditjen përfundimtare”. Një mendim e ka edhe për dëmtimet: “Besoj se të hënën e ardhshme lojtarët tanë do të jenë të gjithë të disponueshëm, përveç Pirlos. Markisio, i dëmtuar ndaj Meksikës, nuk është keq, do të rikuperohet ashtu si Kamoranezi”. Lipi është i kënaqur me fazën përgatitore. Kemi luajtur disa miqësore dhe jemi stërvitur mirë. Kjo nuk do të thotë se do të fitojmë të gjitha ndeshjet, por kemi bërë atë që duhet të bënim”. Skuadrën e shikon të karikuar mjaftueshëm, ashtu sikurse edhe veten. “A është karikimi im emotiv, apo psikologjik? Është më i madh sesa ai katër viteve më parë. Kam më shumë besim. Karikimin ma japin personat me të cilët punoj”. Ndërkohë që në fund thekson se i ka idetë e qarta për atë se çfarë duhet të bëjë Italia në këtë Botëror: “Do të zbresë një mbrojtje më kompakte, që do të më lejojë të mbaj në fushë tre lojtarë ofensivë”.

Top Channel