Basescu: Arumunet, minoritet

08/06/2010 15:25

Megjithëse të cilësuara tradicionale, marrëdhëniet e Shqipërisë me Rumaninë kanë pika mostakimi: statusin e komunitetit arumun në Shqipëri dhe cështjen e Kosovës.(UPDATE)

Këto i nxori në pah edhe vizita e zyrtare e Presidentit rumun, Traian Basescu.

Rumania, si vend anëtar i Bashkimit Europian, mbështet liberalizimin e vizave me Shqipërinë dhe marrjen nga Shqipëria të statusit të vendit kandidat. Në Rumani kanë jetuar dhe punuar disa nga rilindësit shqiptarë dhe pas viteve 90 janë diplomuar edhe mjaft brezash studentësh nga Shqipëria.

Vizita e Presidentit Basescu ishte një rast i mirë edhe për nënshkrimin e memorandumit të mirëkuptimit në fushën e komunikacionit dhe teknologjisë së informacionit dhe nënshkrimit të protokollit të bashkëpunimit midis porteve. Dhe pikërisht në emër të kësaj marrëdhënie miqësore, presidenti Basescu kërkoi statusin e minoritetit kombëtar për arumunët në Shqipëri:

“I shpjegova presidentit rëndësinë e dhënies së këtij statusi që do t’u jepte arumunëve të drejtat që gëzojnë minoritetet kombëtare në Shqipëri, si dhe trajtimin e mirë që bëhet nga Rumania në përputhje me Kushtetutën e Rumanisë të minoritetit shqiptar. Rumania konsideron se arumunët janë shtetas besnikë të shtetit shqiptar, fakt që e kanë dëshmuar përgjatë historisë. Gjithashtu kam diskutuar dhe për rikthimin e shtëpisë së Jorgës në Sarandë dhe kam diskutuar gjithashtu edhe vendimin gjyqësor në lidhje me të”, u shpreh Basescu.

Ndërkohë lidhur me këtë cështje Topi u shpreh: “Arumunët konsiderohen si një komunitet etno-gjuhesor, në dy raporte te KiE, qe konfirmojnë minoritetet zyrtare në Shqipëri. Ju siguroj se respekti per cilindo do te jetë maksimal”.

Një pikë tjetër mostakimi është Kosova:

“Për sa i përket pozicionit tonë, pozicioni ynë nuk është fleksibël dhe kjo gjë nuk vjen nga mosrespekti për kosovarët, por është respekti që kemi për të drejtën ndërkombëtare të njerëzve. Në qoftë se doni të shikoni efektin Kosovë, do ju lutem të shikoni efektin në Gjeorgji. Dhe këtë gjë ne e kemi parashtruar dhe në arsyetimin për mosnjohjen e Kosovës”, u shpreh Basescu.

Fill pas tij Topi theksoi se ndjeshmëritë për cështjen janë të ndryshme.

“Fakti që sot Kosova njihet nga pjesa më e madhe e vendeve të rajonit, njihet nga të gjitha vendet kufitare, me përjashtim të Serbisë, njihet në një proces të vazhdueshme nga shumë vende të cilat janë në distancë nga Kosova, është një proces domethënës në dinamikën e tij. Është shumë e rëndësishme të vlerësohet që ky është një projekt, ose një proces statik, por është në dinamikë të vazhdueshme dhe jam i bindur që dhe pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare, ky proces do të vazhdojë më shpejt se sa ka vazhduar këto dy vite. Pra, në këtë proces unë jam jashtëzakonisht optimist dhe këtë proces e ndihmon shumë sjellja e lidershipit politik në Kosovë, ku, unë ia thashë Presidentit Basesku, mjaft qeveritarë, apo drejtues të institucioneve të Kosovës kanë tejkaluar traumat e tyre personale e familjare të pësuara gjatë gjenocidit të regjimit të Milosheviçit në Kosovë dhe sot po ndërtojnë një shtet multietnik në Kosovë, në respekt të të gjitha pakicave”, theksoi Topi.

Pas takimit me Presidentin Topi, Presidenti Basescu u prit nga kryeministri Berisha. Në axhendë është parashikuar edhe një takim me kryetaren e Kuvendit Topalli dhe një takim me përfaqësues të komunitetit arumun në Shqipëri.

Top Channel