Starton “Rally Albania”

06/06/2010 20:20

Me një prolog 4 kilometra që vendosi edhe rendin e nisjes së pilotëve, ka startuar edicioni i këtij viti në “Rally Allbania”.

Më shumë se 90 motorë dhe 30 makina, janë nisur nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit” mes entuziazmit të njerëzve të pranishëm, dhe asistentëve të pilotëve.

Pjesëmarrësit në këtë garë janë nga rreth 13 shtete europiane, që do të përshkojnë 1500 kilometra rrugë, në pjesën më të madhe të terrenit shqiptar. I pranishëm në ceremoninë e nisjes ishte edhe kryeministri Berisha që uroi pilotët për nisjen e garës spektakolare.

“Kam ardhur këtu për t’iu përshëndetur në këtë eveniment të madh për Tiranën dhe Shqipërinë, për të përshëndetur këtë grup njerëzish që kanë ardhur nga e gjithë bota, për të cilët është më mirë të them që do të fluturojnë në territorin e këtij vendi ku shumë pak njerëz pilotojnë, pasi u mungojnë aftësitë, guximi dhe vendosmëria për të zbuluar bukuritë e pazbuluara të këtij vendi. Për këtë kam ardhur këtu që t’iu përshëndes përzemërsisht e t’iu uroj një tur sa më të mbarë në këtë udhëtim të veçantë”, tha në fjalën përshendetëse për pjesëmarrësit kryeministri Berisha.

Janë 90 motorë dhe më shumë se 30 makina të cilët do të finalizojnë në 12 Qershor, “Rally Albania” në vendin ku u dha starti në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Këtë vit konkurenca, si asnjëherë më parë është shumë e fortë. Një emër jo shumë i njohur për sportin shqiptar, Jozef Macacek, që është shpallur 5 herë kampion i aktivitetit prestigjioz “Paris-Dakar”, këtë herë do të synojë të dominojë edhe në garën e dytë për nga rëndësia në Ballkan, me motorin kuad, të tipit “Yamaha Reptor”.

Top Channel