MotoGP, Pedroza dominon Italinë

06/06/2010 18:15

Dani Pedrosa e mbylli në mënyrën më të mirë këtë fundjavë në Botërorin e MotoGP. Piloti spanjoll i Hondës fitoi garën në Çmimin e Madh të Italisë duke konfirmuar formën shumë të mirë të tij të shfaqur edhe gjatë provave zyrtare.

Në pistën e Muxhelos, Pedroza e nisi garën nga vendi i parë, pozicion të cilin ai arriti ta ruajë deri në fundin e garës.

Në vendin e dytë u rendit Lorenzo i cili e fitoi këtë pozicion pasi kaloi pilotin italian të Hondës, Andrea Doviciozo. Ky i fundit u mjaftua me vendin e tretë që i jep atij pikë mjaft të rëndësishme për vazhdimësinë e sezonit.

Kejsi Stoner nuk shkoi më shumë se vendi i katërt në garën e Italisë. Piloti australian i Dukatit e fitoi këtë pozicion vetëm në xhiron e fundit pas një dueli të gjatë me Marko Melandrin dhe Rendi De Puniè të cilët u renditën në vendin e pestë dhe të gjashtë.

Në përfundim të Çmimit të Madh të Italisë, klasifikimi për pilotë mbahet nga spanjolli Horge Lorenzo që ngjitet në kuotën e  90 pikëve i ndjekur nga Dani Pedroza në të dytin më 65 pikë dhe Valentino Rossi në vendin e tretë me 61.

Italiani tjetër, Andrea Doviciozo gjendet në vendin e katërt, ndërkohë që larg vendeve të para është Stoner. Australiani gjendet në vendin e 8 në kuotën e 24 pikëve.

Top Channel