
Projekti gjigant 800 megavatësh për ndërtimin e termocentralit me qymyr në zonën bregdetare të Porto Romanos në Durrës, duke se është zvenitur.
Burime të niveleve të larta në Ministri të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, thanë për “Shqip” se asnjëra nga dy kompanitë nuk është kujtuar më për projektin. Kompania italiane, ENEL kishte avancuar me përgatitjet e studimit, efekteve në mjedis, si dhe kishte gati projektin, duke u kthyer kandidatja kryesore për fitimin e garës ndaj kompanisë greko-gjermane RWE, e cila edhe ajo kishte shfaqur interes.
Negociatat për ndërtimin e TEC-it ishin drejt përfundimit dhe dukej se italianët do të kishin çelësat e impiantit në dorë, kur firmosën marrëveshjen e linjës nënujore, me kapacitet 500 megavat. Kanë kaluar rreth një vit nga marrëveshja dhe gati 5 muaj nga afati i vendosur nga Ministria e Ekonomisë për lëshimin e lejes, dhe asnjë shenjë nuk duket përqark.
“Nuk ka të bëjë me leje mjedisore apo me ndonjë burokraci nga pala shqiptare. Thjesht, italianët duket se nuk janë të interesuar, kurse gjermanët kanë dorëzuar një herë projektin dhe nuk janë dukur më në ministri”, shpjegon burimi në ministri. Duket se qeveria kërkon ta japë me ngulm lejen e termocentralit me qymyr, por tani problemi është se nuk ka kush ta marrë.
Ndoshta kriza ekonomike në botë ka detyruar investitorët të jenë më të kujdesshëm. Projekti për instalimin e 800 megavat TEC me qymyr parashikonte të kushtonte rreth 2 miliardë euro, ku pjesa dërrmuese e energjisë që do të prodhohej, do eksportohej në Itali.
Sipas marrëveshjes mes OST dhe ENEL, për linjën nënujore që do të transmetonte energjinë e prodhuar nga TEC-i, 20 për qind e energjisë do të mbetej në Shqipëri, me një çmim kostoje, që italianët nuk e deklaruan kurrë. Gara mes ENEL dhe RWE u bë tepër e fortë në një farë momenti, madje duke lëkundur edhe raportet diplomatike mes dy vendeve. Kompania italiane ishte e para në garë për shkak të takimeve të kryera me banorë të zonës ku do ndërtohej TEC-i, kishte zhvilluar konferenca me mediat, zhvilluar debate publike, bërë studime fizibiliteti, pra gjithçka ishte gati. Pritej vetëm firma e ministrit të Mjedisit, që në atë kohë ishte Lefter Xhuveli, i cili pas presionit nga shoqatat ambientaliste, e ngadalësoi procesin e firmosjes së lejes.
Qeveria shqiptare miratoi një leje tjetër për ndërtimin dhe shfrytëzimin e një linje të interkonjeksionit energjetik Shqipëri-Itali për llogari të kompanisë italiane “Enel”, pasi një leje të ngjashme të miratuar një vit më parë, i skadoi afati. “Enel Produzione” ka regjistruar në Shqipëri një filial me kapital fillestar të konsiderueshëm dhe ka në plan të ndërtojë një termocentral qymyri në zonën e Porto Romanos. Për ta ndërtuar këtë termocentral, ka nevojë për një linjë interkonjeksioni me Italinë ku do të eksportohet një pjesë e energjisë së prodhuar. Qeveria shqiptare i pati dhënë fillimisht lejen ENEL-it në tetor të vitit 2008, por kjo leje sanksiononte se punimet e ndërtimit duhej të fillonin brenda 12 muajve.
Afati kaloi dhe punimet nuk filluan. Për këtë arsye, qeveria miratoi dje shfuqizimin e lejes së mëparshme dhe miratimin e një lejeje të re. Afati i ri për fillimin e punimeve nuk është publikuar ende. Qeveria shqiptare ka dhënë deri tani gjashtë leje për ndërtimin e linjave të interkonjeksionit energjetik mes Shqipërisë dhe Italisë dhe në disa raste i ka prezantuar këto leje si investime të stërmëdha. Por për asnjë nga këto linja nuk kanë filluar punime konkrete. Në rast se realizohet një linjë e tillë, koncesionmarrësi do të ketë detyrimin të vendosë në dispozicion të Operatorit të Sistemit të Transmetimit 20 për qind të kapacitetit të linjës pa pagesë, ose t‘i japë OST-së 20 për qind të fitimeve.
Top Channel