Athinë, aksidentohet autobusi i “Albania Interlines”

05/06/2010 16:35

Një autobus i linjës Shkodër-Tiranë-Athinë, u aksidentua në orët e para të mëngjesit të së shtunës në hyrje të Athinës.

Sipas policisë greke, autobusi i kompanisë shqiptare “Albania Interlines”, doli nga rruga dhe u përplas me murin anësor të autostradës Athinë-Korinth, në kilometrin e 19-të të saj.

Policia thotë se autobusi i kompanisë shqiptare ishte në gjendje jo të mirë teknike.

Mësohet se në zonë në momentin e aksidentit binte shi dhe rruga ishte e rrëshqitshme.

 Ekspertët e policisë rrugore që kontrolluan mjetin, konstatuan se vjetërsia e gomave, e koordinuar me shpejtësinë mbi normat e lejuara dhe terrenin e rrëshkitshëm, mund të jenë shkaqet e këtij aksidenti.

Burime policore, thanë për Top Channel se në momentin e përplasjes, autobusi kishte 25 persona në bord, por për fat askush prej tyre nuk pësoi dëmtime.

Në aksident u përfshi edhe një autoveturë, drejtuesi i së cilës u plagos lehtë.

Pasagjerët u dërguan në destinacionin e tyre përfundimtar me taksi dhe mjete të rastit.

Ky është aksidenti i tretë i autobusëve të kësaj kompanie brenda një viti.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA