Miliardat e bilanceve, gjoba mashtruesve

04/06/2010 08:10

Rezultatet e deritanishme tregojnë  se kriza financiare në botë në të vërtetë nuk erdhi për shkak të mungesës së likuiditetit, por dublimit të bilanceve, kamuflimit të të dhënave, fshehja e të vërtetës mbi gjendjen reale të kompanisë.

Të gjitha marifetet që sollën përfitime miliarda dollarësh dolën në dritë dhe përgjegjësit kryesorë ishin ekspertët kontabël, audituesit e firmave private që certifikonin një shifër sikur të ishte 10, por në fakt ishte 2.

Rrezikun e mashtrimeve me bilancet, duke shmangur si fillim detyrimet ndaj shtetit, e më pas për të përfituar kredi nga bankat, e ndien edhe vendi ynë, tashmë me një zhvillim të aktivitetit privat.

Ministria e Financave e ndien rrezikun e dublimit të bilanceve nga individë që i certifikojnë sipas rregullit me ligjin, por që në fakt tregojnë të kundërtën.

Dy ditë më parë, qeveria mori vendimin për të rritur masën e sanksioneve ndaj ekspertëve kontabël që certifikojnë bilance të kompanive private.

Me rregullin e ri, të gjithë ekspertët duhet të regjistrohen pranë një këshilli që monitorohet nga shteti dhe se çdo auditues, kontabilist dhe ekspert, duhet të jetë i përfshirë patjetër në një nga strukturat kontrolluese të sistemit.

Top Channel