Tirana, shpërthejnë akuzat

03/06/2010 20:55

Mosfitimi i asnjë trofeu duket se ka nxjerrë në pah problemet e vazhdueshme gjatë këtij sezoni te klubi Tirana.

Drejtori i klubit bardheblu, Rauf Dimraj ka akuzuar drejtëpërdrejt presidentin Refik Halili për keqmenaxhimin e skuadrës. “Refik Halili manaxhoi ekipin në nivel shumë të dobët të lëvizshmërisë së ekipit në fushë. Ky mentalitet duhet të korrigjohet tek Tirana bashkarisht”, theksoi ai. Në mbledhjen e fundit të kryesisë së këtij klubi, Refik Halili premtoi 1 mln dollarë nëse do të jetë president me të drejtë firme dhe vule.

Por Dimraj e kundërshton kategorikisht këtë ide. “Duke njohur ligjet, i them se kjo është shkelje e ligjit. Prania e një sponsori të vetëm nuk është shumë e vlefshme”, shton drejtori bardheblu. Rauf Dimraj, i deleguari i Bashkisë së Tiranës në klubin bardhblu, pohon se privatizimi i këtij klubi, një kërkesë e vazhdueshme kjo e Halilit është në dorën e Këshillit të Ministrave. “Ka kohë që bashkia pretendon për SH.A. Akoma nuk janë plotësuar të gjitha paketat ligjore për SH.A.

Propozimi i Ministrisë së Sporteve i ka kaluar qeverisë për të vendosur”, pohon Dimraj. Në fund drejtori i klubit Tirana, pohoi se një pjesë e mirë e lojtarëve janë pa kontratë. Sipas tij kjo situatë do të rregullohet dhe skuadra do të jetë e gatshme për të bërë një përfaqësim sa më të denjë në ndeshjet e Europa League.  

Top Channel