
Të ftuar në emisionin Top Show analistët diskutuan mbi proçesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Për analistin Mentor Nazarko vendi ynë ndodhet mjaft prapa në rrugën drejt BE-së. Sipas tij liberalizimi i vizave mund të ishte marrë para vitit 2000.
“Në vitin ‘96 BE ishte gati të nënshkruante marrëveshjen e asociimit, por ngjarjet e ’97-ës na çuan 15 vite pas. Dy ose tre vjet më vonë do të liberalizoheshin vizat dhe sot do të diskutohej anëtarësimi me të drejta të plota. Politikani udhëheqës i asaj kohe nuk ka pse krenohet sot e të mburret se solli liberalizimin e vizave”, tha analisti, Mentor Nazarko.
Ndërkohë, kryeredaktori i gazetës “Panorama”, Robert Rakipllari vlerësoi se udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave, i nxjerrë nga BE në vitin 2008 është orientimi më i mirë për këto vende. Rakipllari tha se qeveria shqiptare nuk arrit të plotësonte kushtet për lëvizje e lirë para vendeve të rajonit të cilat e kanë përfituar atë.
“Udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave, që ka dalë në vitin 2008 është bërë një aneks i ri. Qeveria shqiptare nuk mundi të plotësonte kushtet para vendeve të rajonit që përfituan liberalizimin e vizave. Vizat janë hequr sepse është marrë vendimi, në muajin dhjetor do realizohet ky proçes. Vendimi për liberalizimin e vizave është diçka e prekshme dhe shumë i rëndësishëm”, tha Rakipllari.
Ndërsa, Drejtori i Informacionit në Top Channel, Bledar Zaganjori foli për trajtimin e mundshëm që mund t’i bëhet Shqipërisë nga Strasburgu. Për të kërkesa për trajtim të diferencuar nga Bosnja, e bërë nga kryeministri Berisha para disa kohësh, është një kërkesë e rrezikshme.
“Me gjithë këto kërcënime apo deklarata që vijnë nga Strasburgu lind pyetja do të kemi të njëjtin trajtim si Bosnja apo të diferencuar? Rasti më i mirë është trajtimi i barabartë me ta dhe më i keqi është trajtimi i diferencuar. Berisha ka kërkuar trajtim të diferencuar, ndërkohë që strukturat që marrin këto vendime duhet të kenë parasysh diçka që po luhet me dinjitetin e një kombi”, tha Bledar Zaganjori.
Top Channel