Testi i letërsisë, më i miri ndër vite

02/06/2010 08:10

Këtë vit provimi i parë i detyrueshëm i Maturës Shtetërore ka qenë më i realizuari, krahasuar me provimet e viteve të kaluara. “Vulën” dhe konfirmimin e këtij fakti e kanë dhënë vetë mësuesit dhe administratorët e procesit.

Sipas tyre, ky ka qenë testimi me pyetjet më të lezetshme. Niveli i vështirësisë mund të konsiderohet si mesatar, që do të thotë se pyetjet nuk kanë qenë as shumë të thjeshta, as të vështira. “Për nxënësit që kanë mësuar, testi ka qenë jo i vështirë. Pyetjet kanë qenë të formuluara saktë dhe hartimi është bërë në mënyrë tërheqëse”, sqaruan mësuesit e shkollës “Sinan Tafaj”.

Ndërkohë që Ministria e Arsimit ka sqaruar dje, se në orën 12.00 përfundoi provimi i detyruar i lëndës letërsi-gjuhë shqipe për Maturën Shtetërore 2010.

“Dje u zhvillua në të gjitha shkollat e arsimit parauniversitar provimi i parë i detyruar i Maturës Shtetërore, ai i lëndës letërsi-gjuhë shqipe. Provimi filloi njëkohësisht në të gjithë vendin në orën 10.00 dhe zgjati 2 orë e gjysmë”, sqaroi zyrtarisht Ministria e Arsimit.

Në provim morën pjesë rreth 38 mijë maturantë, të vendosur në mjediset e përzgjedhura nga Drejtoritë Arsimore Rajonale dhe Zyrat Arsimore. Rreth 2 mijë administratorë të provimit (AP) u përfshinë në këtë proces.

Nga monitorimi i vazhdueshëm për Maturën Shtetërore, në 37 drejtori arsimore rajonale dhe zyra arsimore rezultoi se gjithçka eci normalisht. Dje, testet e maturantëve me masa të rrepta sigurie u nisën në drejtim të Agjencisë së Vlerësimit të Arritjeve dhe do të shpërndahen në katër qendrat e korrigjimeve.

MASH, në bashkëpunim me AVA-n, ka trajnuar të gjithë vlerësuesit e testeve, në  mënyrë që ky proces të jetë korrekt, i saktë  dhe bindës për secilin maturant. Vlerësuesit janë të  gatshëm të nisin procesin e korrigjimit të testeve nga data 3 qershor 2010 në Tiranë, Elbasan, Shkodër dhe Fier.

Procesi i vlerësimit të testeve kësaj here do të monitorohet nga ekspertë të politikave të inspektimit në MASH dhe specialistë të Inspektoratit Kombëtar të Arsimit Parauniversitar. Nëpërmjet kësaj rruge, MASH-i synon të konsolidojë vlerësimin e produktit të çdo maturanti në mënyrën më të mirë, në të njëjtat standarde me vendet e BE-së. Monitoruesit do të ndjekin të gjitha provimet e detyruara dhe ato me zgjedhje, me qëllim që MASH-i të bëjë të mundur një vlerësim real të cilësisë në të gjitha shkollat e vendit. Çdo maturant, çdo prind, çdo institucion dhe çdo i interesuar për provimin e kësaj lënde mund t’i gjejë përgjigjet në faqen e internetit të MASH-it (www.mash.gov.al ).  

Top Channel