Shqipëria, fitore modeste

02/06/2010 23:45

Kombëtarja shqiptare, ku pjesa më e madhe e lojtarëve të saj ishin të rinj dhe në moshë të re ka fituar edhe miqësoren e dytë me rezultatin 1-0, këtë herë përballë Andorës. (UPDATE)

“Unë jam i kënaqur nga rezultati, pasi po vazhdon rezultati pozitiv. Gjithësesi unë mendoj se nuk është e lehtë të luash ndaj Andores, pasi është një ekip mjaft i organizuar. Nga loja nuk jam dhe aq i kënaqur pasi kemi ende shumë gjëra për të rregulluar. Lojtarët tanë duhet të kenë shumë besim në vetvete dhe kjo gjë u mungoi atyre që u futën në lojë në pjesën e dytë. Gjithsesi them që kemi 14-15 lojtarë të cilët janë pretendentë për formacionin bazë”, tha pas ndeshjes trajneri Kuzhe.

Kuqezinjtë e rinj e kanë dominuar të gjithë ndeshjen përballë një kundërshtari modest që renditet në vendin e 201 në klasifikimin e FIFA-s. Ka qenë një ndeshje e përqëndruar e gjitha në zonën e ekipit kundërshtar, ku lojtarët tanë hasën shumë vështirësi për të çarë mbrojtjen e ngjeshur të Andorrës.

Në minutën e 21 Vrapi kaloi në avantazh kuqezinjtë, por goli i tij u konsiderua si i parregullt nga anësori maqedonas. 1 minutë para përfundimit të pjesës së parë, Hamdi Salihi i harruar nga mbrojtja kundërshtare, e dërgoi topin në rrjetë, duke mbyllur pjesën e parë me avantazhin e Shqipërisë.
Edhe në të dytën janë sërish tanët që dominojnë lojën, madje krijojnë disa raste të tjera shënimi, por pa mundur të finalizojnë aksionet.

Trajneri i kombëtares shqiptare Josip Kuzhe i dha shansin edhe disa lojtarëve të tjerë në këtë pjesë, përpjekjet e të cilëve nuk ndryshuan rezultatin përfundimtar të ndeshjes.
Kjo është fitorja e tretë radhazi dhe e 8-ta në miqësoret e zhvilluara nga kombëtarja, humbja e fundit e përfaqësueses tonë në një miqësore është ajo e para dy viteve 1-0 me Poloninë.

Top Channel