Duro: Andorra, një fitore për vazhdimësinë

01/06/2010 10:10

Vetëm 24 orë e ndajnë Shqipërinë nga miqësorja e së mërkurës, të brenda në një jave, atë ndaj Andorrës në shtëpi. Tashmë trajneri i kuqezinjve, Josip Kuzhe, dhe futbollistët e tij po i japin dorën e fundit fazës përgatitore për këtë sfidë, e cila nuk konsiderohet shumë e vështirë, por ku do të synohet të testohet “gjaku” i ri i përfaqësues.

Megjithatë kjo ndeshje është një “thikë me dy presa” për ata që pritet të zbresin në fushë. Kundërshtari është i një niveli modest dhe opinioni është i përgatitur për një fitore, pse jo me goleadë. Nëse do të arrihet kjo, protagonistët thjesht do të përforcojnë besimin e trajnerit se meritojnë bluzën. Por një rezultat zhgënjyes, siç mund të jetë barazimi, apo ndoshta një humbje surprizë, mund të jetë penalizuese për disa prej të aktivizuarve. Prandaj kjo ndeshje është një sfidë, që meriton vëmendjen e të gjithëve.

I këtij mendimi është edhe Klodian Duro, mesfushori me përvojë të madhe ndërkombëtare, i cili flet gjithmonë si një lojtar profesionist, edhe kur bëhet fjalë për ballafaqime me një nga ekipet më modeste në botë. “Duhet të fitojmë për të ruajtur vazhdimësinë pozitive pas fitores me Malin e Zi dhe për t’u dhuruar kënaqësi tifozëve tanë”, nënvizon lojtari i Apollon Limasolit në Qipro. Duro pritet të jetë pjesë e 11-shes titullare anti-Andorrë. Elbasanasi, një ndër lojtarët më stabël të përfaqësues në këto vitet e fundit, vë theksin e tij te fitorja e mundshme të mërkurën, pasi, sipas tij, vetëm kështu do të mund të ruhej një klimë optimale në vazhdimësi deri në shtator, kur edhe Shqipëria do të shënojë startin zyrtar të eliminatoreve për Euro 2012.

“Në të vërtetë Andorra është një skuadër e vogël, gjithsesi ajo nuk duhet nënvlerësuar, sqaron mesfushori i krahut të djathtë. Detyra jonë është ta fitojmë këtë ndeshje, duke qëndruar me këmbët në tokë dhe të respektojmë të gjitha detyrat që do të na japë trajneri. Në këtë mënyrë do të jetë më e lehtë të arrijmë rezultatin e dëshiruar. Objektivi ynë për këtë ndeshje është vetëm fitorja, pasi kështu do të mund të ruanim vazhdimësinë pozitive, pas asaj fitoreje të rëndësishme ndaj Malit të Zi një javë më parë”. Po ashtu, sipas Duros, kjo ndeshje do të jetë një mundësi për të kënaqur tifozët kuqezinj. Kundërshtari luan shumë në mbrojtje (“Unë parkoj autobusin para portës”, thotë në mënyrë figurative trajneri i Andorrës, Rodrigo). Këtë e dinë mirë Duro&Co., ndaj strategjia e Shqipërisë do të jetë e një lojë sulmuese, me forca të shumta në kërkim të golave që do të dëfrenin fansat, që do të jenë të pranishëm në stadium. “Kjo fitore do ta mbante të lartë moralin e ekipit deri në prag të nisjes së eliminatoreve”, shton mesfushori kuqezi. Duro gëzon një reputacion të mirë tek Apolon Limasoli në Qipro, ndaj e ardhmja e tij për sezonin e ardhshëm nuk do të pësojë asnjë luhatje.

“Me Apolonin kam një kontratë edhe për një vit tjetër, saktëson elbasanasi. Po ashtu kam një marrëdhënie shumë të mirë me klubin dhe mendoj ta respektoj këtë kontratë në edicionin e ardhshëm, ku do të marrim pjesë në Europa League”. Sot trajneri Kuzhe pritet të japë një konferencë të fundit për shtyp para ndeshjes, rreth orës 12.00, pak para stërvitjes përmbyllëse të kuqezinjve në prag të sfidës me Andorrën.

Top Channel