Dhuna, Komiteti masa të ashpra

01/06/2010 02:10

Komisioni i Disiplinës së Federatës Shqiptare të futbollit ka marrë masa të ashpra ndaj dhunës së shfaqur në fundin e ndeshjes së plejautit mes Kastriotit dhe Lushnjes.

3 lojtarë të skuadrës krutane, Turdiu, Shamati e Kalari si dhe 5 futbollistë të Lushnjës Çela, Kaloshi, Kule, Dervishi dhe Dhima janë pezulluar me nga 10 ndeshje si dhe 100 mijë lekë gjobë.

Për ofendim ndaj gjyqtarit të ndeshjes janë pezulluar me nga 6 ndeshje, dy lojtarët e Lushnjës Dorian Bubeqi dhe Alban Byzhyti.

Nuk kaluan pa u vënë re nga FSHF as incidentet në ndeshjen mes Skënderbeut dhe Kamzës. Klubi i Kamzës është gjobitur me 560 mijë lekë për hedhje të sendeve të forta në fushë të tifozerisë se vet, dhe përveç kësaj është i detyruar të zhdëmtojë stadiumin “Ruzhdi Bizhuta” për dëmet e shkaktuara.

Në të njëjtën kohë u ndëshkuan edhe zyrtarët e skuadrës së Kamzës me 3 ndeshje pezullim dhe 30 mijë lekë secili.

Top Channel