Anti-Andorra, të rinjtë vetëm në pjesën e dytë

01/06/2010 11:35

Josip Kuzhe synon ta mbyllë në 45 minutat e para miqësoren me Andorrën. Vetëm duke e siguruar fitoren në fraksionin e parë të lojës, trajneri i Kombëtares shqiptare do të jetë më i lirshëm për të testuar elementët e rinj që ka afruar në skuadër.

Për këtë arsye, të mërkurën në “Qemal Stafa”, përfaqësuesja pritet të zbresë në fushën e lojës me formacionin më të mirë (nga kontingjenti që ka mbetur), ku si titullarë do të nisen të gjithë lojtarët që kanë përvojë dhe mjaft ndeshje mbi shpinë me fanellën kuqezi.

Porta do t’i besohet sërish Isli Hidit, ndërsa “gardiani” i Laçit, Ervin Llani ëndërron që të debutojë në minutat në vazhdim si zëvendësues.

Pavarësisht largimeve të Canës, Currit dhe Dallkut, drejtuesi i stolit ka arritur të krijojë një mbrojtje që jep garanci. Kristi Vangjeli duket plotësisht i rikuperuar nga dëmtimi në gju dhe do të luajë në krahun e djathtë, ndërsa Ansi Agolli do të rreshtohet në të majtë. Dyshja e qendrës pritet të përbëhet nga Endri Vrapi dhe Andi Lila. Spostimi i këtij të fundit në repartin difensiv ka lënë një hapësirë në mesfushë për Jahmir Hykën. Pasi shkëlqeu përballë Malit të Zi, lojtari i Manincit do të luajë në të majtë, ndërsa Hamdi Salihi do të jetë në pozicion disi më të avancuar nga e djathta. Ervin Bulku dhe Klodian Duro do të luajnë përpara mbrojtjes, ndërsa Ervin Skela do të ketë sërish detyrën për të organizuar manovrat sulmuese. Edmond Kapllani do ta nisë ndeshjen si titullar, pasi edhe Erjon Bogdani ka marrë leje për t’u larguar.

Në seancën e djeshme stërvitore, trajneri Kuzhe është përqendruar maksimalisht në fazën ofensive të lojës. Skuadra ka zhvilluar gjuajtje nga distanca drejt portës dhe harkime nga krahët, duke testuar skemat për të “çarë” mbrojtjen e kundërshtarëve. Më pas, vetëm nëse gjithçka shkon sipas parashikimeve të stafit kuqezi, një shans do të kenë Ditmar Bicaj në mbrojtje, Emiljano Veliaj në mesfushë dhe Parid Xhihani apo Ahmed Januzi në sulm. Gjithashtu edhe Bakaj, Vila, Muzaka apo Lika presin shansin të tregojnë formën e tyre sportive dhe pse jo të shënojnë në portën e Andorrës.

Top Channel