Xhevahir Sukaj bëhet protagonist absolut në triumfin e skuadrës së tij, Ismaili përballë Itihad Aleksandrias, në Kupën e Egjiptit.
Koha e rregullt në takimin e vlefshëm për çerekfinalet e këtij aktiviteti përfundoi në barazim 1-1, ndërsa sulmuesi shkodran ka dhënë asistin e golit të shënuar nga Ismaili. Rezultati nuk ndryshoi as në kohën shtesë, ndërsa për të vendosur ekipin fitues u gjuajtën penalltitë.
Sukaj ka ekzekutuar 11-metërshin e fundit, duke realizuar golin vendimtar që i dhuroi skuadrës së tij fitoren 6-5. Në këtë mënyrë, Ismaili kualifikohet në gjysmëfinalet e Kupës, ku si kundërshtar të radhës do të ketë Haras al Hodoud. 22-vjeçari është shprehur mjaft i kënaqur me paraqitjen në këtë ndeshje dhe për kontributin e dhënë në triumfin e skuadrës së tij.
Tashmë ai shpreson të realizojë golin e parë me aksion dhe që të ketë më shumë vazhdimësi në aktivizim, në mënyrë që të rifitojë një vend në Kombëtaren shqiptare.
Top Channel