Shqipëria e Kuzhe është një kantier

31/05/2010 11:40

Trajneri thekson se grupi kuqezi nuk mund të quhet i kompletuar edhe gjatë eliminatoreve të Euro 2012.

Shqipëria është një kantier i hapur. Trajneri Josip Kuzhe po vazhdon punën për të rinovuar kontingjentin e përfaqësueses, duke ndërthurur elementët e rinj me “veteranët”, ata që përbëjnë boshtin e skuadrës. Puna për afrimin e lojtarëve që do t’i shërbejnë Kombëtares gjatë eliminatoreve të Euro 2012, por edhe për të ardhmen, është në hapat e parë dhe ndoshta nuk do të përfundojë as gjatë shtatorit. Në datën 4 të këtij muaji, Shqipëria debuton në Grupin D në fushën e Rumanisë, ndërsa katër ditë më vonë në Tiranë mbërrijnë modestët e Luksemburgut. “Asnjëherë nuk mund të thuhet se lista me lojtarët e grumbulluar është përfundimtarja për ekipin përfaqësues. Për sa më takon, dyert e Kombëtares janë gjithmonë të hapura për futbollistët cilësorë, të cilët mund të japin kontributin e tyre për Shqipërinë. Përveç atyre që kam grumbulluar për miqësoret me Malin e Zi dhe Andorrën, kam edhe një listë të gjatë me lojtarë të rinj, që luajnë nëpër ligat e ndryshme europiane. Për këtë arsye mund të them se ndoshta edhe në shtator, kur do të startojë Euro 2012, nuk do ta kem përpiluar ende listën përfundimtare të eliminatoreve”, ka deklaruar Kuzhe. Pas triumfit me Malin e Zi, drejtuesi i stolit kuqezi do t’u japë një shans elementëve të rinj në sfidën me Andorrën. Kjo konfirmohet edhe nga largimet e parakohshme të Canës, Currit, Dallkut dhe Bogdanit. “Natyrisht që më 2 qershor do të luajmë për fitore, pasi kjo është pozitive për ambientin dhe rrit besimin brenda skuadrës. Megjithatë, fakt është që ekipi, të cilin do ta hedhë në fushë përballë Andorrës, do të jetë i kombinuar. Shumë të rinj do kenë shansin të luajnë, ndërsa disa titullarëve u kam dhënë leje për të bërë pushimet e merituara. Përveç vëzhgimit të elementëve të rinj që kemi afruar, në këtë ndeshje kërkoj të shoh edhe të gjithë lojtarët e tjerë, për të kuptuar se sa seriozisht mund t’i llogaris për sfidat zyrtare”, konfirmoi tekniku kroat.

Më tej, Kuzhe foli edhe për kundërshtarët në aktivitetin kontinental. Përveç lojës së Rumanisë dhe Luksemburgut, ai po studion edhe Bosnjën dhe Bjellorusinë, dy skuadra me të cilat Shqipëria luan në muajin tetor. “Në arkivin tim kam informacione për të gjithë kundërshtarët e grupit, megjithatë çdo ide që kam krijuar do ta them në kohën e duhur. Së fundmi kam vëzhguar nga afër Bjellorusinë, në miqësoren në Austri, ndërsa më 3 qershor do të udhëtoj drejt Frankfurtit për të ndjekur miqësoren e Bosnjës me Gjermaninë, për të gjetur pikat e dobëta të secilës skuadër, përfundoi trajneri 57-vjeçar. Franca cilësohet si favoritja e grupit, por unë bëj llogaritë e Shqipërisë dhe mund të them se askush nuk do ta ketë të lehtë përballë nesh”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA