F1, “gafa” e Vetel i dhuron fitoren Meklarenit

30/05/2010 15:45

Një tentativë e gabuar për parakalim e Sebastian Vetel ndaj Mark Veber i ka kushtuar këtij të fundit Çmimin e Madh të Stambollit në Formula 1. Nga gafa e pilotëve të Red Bull përfiton piloti Meklarenit, Luis Hamilton.

Fati i garës së Stambollit u vendos në xhiron e 41 kur ndodhi edhe kontakti mes dy makinave Red Bull. Menjëherë pas incidentit Sebastian Vetel detyrohet të lërë garën, ndërsa Mark Veber futet në bokse për të dalë prej andej në vendin e tretë.

Pas këtij episodi gara u kryesua nga dy makinat Meklaren, përkatësisht vendi i parë nga Hamilton dhe i dyti nga Xhenson Baton. Pikët e siguruara nga kjo garë i japin kryesimin e përgjithshëm për skuderi skuadrës britanike me 172 pikë, një më shumë se Red Bull dhe të ndjekur nga Ferrari me 146.

Për pilotë edhe pse u rëndit vetëm i treti në garën e sotme, Mark Veber vazhdon të kryesojë rënditjen me 93 pikë, i ndjekur tashmë nga Xhenson Baton me 88 dhe Luis Hamilton me 84 pikë.

Ndërkohë pilotët e Ferrarit kanë zhgënjyer në këtë pistë duke u rënditur përkatësisht Masa në vendin e 7-të dhe Alonso në të 8-in.

Formula 1 rikthehet pas dy javësh, më 13 qershor me Çmimin e Madh të Kanadasë.

Top Channel