
Qershori është muaji vendimtar brenda të cilit qeveria shqiptare duhet të përmbushë edhe tre kriteret e shpallura të enjten nga Komisioni Europian për liberalizimin e vizave.
Kryengociatori për palën shqiptare, Gazmend Turdiu, gjatë një komunikimi me median qartësoi të gjitha afatet kohore të vendimarrjes europiane për heqjen e vizave.
“Hapi i radhës ka të bëjë me përmbushjen e këtyre tre nën-çështjeve të fundit që nuk janë çështje nëse i referohemi Udhërrëfyesit, brenda muajit qershor të këtij viti. Ne presim që në muajin korrik të vijë ekipi i ekspertëve për të verifikuar raportimet tona për plotësimin e këtyre tre nën-çështjeve të fundit dhe besojmë se Parlamenti Europian do të përmbyllë proçedurat e miratimit të propozimit diku nga fillimi i vjeshtës, ndoshta nga muaji shtator. Më pas, e ka radhën Këshilli i Ministrave i cili duhet të miratojë përfundimisht propozimin e Komisionit Evropian brenda vjeshtës. Janë të gjitha kushtet që njëzet ditë pas miratimit përfundimtar në Këshillin ë Ministrave, të bëhet botimi në fletoren zyrtare të Bashkimit Europian, vendim i cili hyn menjëherë në fuqi për shtetasit shqiptarë”, deklaron zoti Turdiu.
Qeveria shqiptare beson se gjithçka do të mbyllet brenda pak muajsh, duke mundësuar lëvizjen pa viza të shqiptarëve brenda këtij viti.
“Dëshiroj të garantoj të gjithë qytetarët shqiptarë se autoritetet përgjegjëse do vazhdojnë të punojnë fort për përmbushjen e këtyre kërkesave teknike, dhe se premtimi për lëvizjen pa viza në hapësirën Shengen do të jetë realitet para përfundimit të këtij viti”, tha Turdiu.
Top Channel