Kundërshtarët: Shqiptarët ishin më të fortë

28/05/2010 12:30

Paraqitja e Kombëtares shqiptare në Podgoricë ka marrë vlerësime edhe nga malazezët. Pavarësisht humbjes 0-1 në fushën e tyre, fqinjët veriorë pranuan superioritetin e skuadrës së drejtuar nga Josip Kuzhe.

Mediat, por edhe lojtarët e përfaqësueses së Malit të Zi, pohuan se kuqezinjtë ishin më të fortë dhe këtë e treguan në fushën e lojës.

Gazeta sportive “Arena” shkruante: “Shqiptarët luanin të gjithë për ekipin dhe shfaqën në fushë modelin sesi duhet të luajnë skuadrat e vogla. Ata dukej se kishin formulën e duhur për të evituar rrezikun sa herë që Mali i Zi krijonte manovra ofensive”.

Në të njëjtën të përditshme fjalë pozitive ka thënë edhe mbrojtësi i Rapidit të Vjenës, Milan Jovanoviç: “Shqipëria ishte e mirorganizuar. Erdhën në Podgoricë për të fituar dhe ia arritën qëllimit. Ata ishin një skuadër e pabesueshme në aspektin fizik dhe arritën të befasonin publikun”. Ndërsa sulmuesi Andrija Delibashiç shtoi: “Kundërshtarët fituan falë përgatitjes fizike”.

Top Channel