Kombëtarja, “eksod” para Andorrës

28/05/2010 11:25

Shqipëria do të luajë me formacion të përgjysmuar në miqësoren e 2 qershorit kundër Andorrës. Trajneri Josip Kuzhe u ka dhënë leje katër titullarëve, për të mos qenë të pranishëm në testin që do të luhet në “Qemal Stafa”.

Përpara kohe nga grumbullimi është larguar sulmuesi kryesor i kuqezinjve, Erjon Bogdani. 33-vjeçari do të bëjë disa ditë pushime pas një sezoni të gjatë dhe aspak të lehtë në planin personal.

Ndërkohë, ai do të shfrytëzojë kohën në dispozicion për të shqyrtuar ofertat: Bogdani do të largohet nga Kievo dhe destinacioni i tij më i mundshëm është Siena në Serinë B. Bardhezinjtë, me të cilët ka realizuar 13 gola në 49 ndeshje nga viti 2005 deri më 2007, i kanë ofruar kontratë 2-vjeçare. Përballë Andorrës, një kundërshtar mjaft modest dhe që të paktën në letër lë mjaft mundësi për të eksperimentuar, Kombëtarja do të jetë thuajse pa mbrojtje.

Lorik Cana, Armend Dallku dhe Debatik Curri, me këtë të fundit që do të udhëtojë për në muajin e mjaltit, kanë filluar pushimet. Nga titullarët trajneri Kuzhe do të ketë në dispozicion vetëm Ansi Agollin, edhe sepse Kristi Vangjeli vazhdon fazën e rehabilitimit nga dëmtimi në gju. Prezenca e tij në fushë mbetet në dyshim. Në repartin difensiv si alternativa kanë mbetur vetëm Andi Lila, Ditmar Bicaj dhe Endrit Vrapi. Në ndeshjen e së mërkurës së ardhshme me skuadrën nuk do të jetë as Bekim Bala. Sulmuesi shkodran luajti në miqësoren e Under-21 të Artan Bushatit me Poloninë dhe për këtë arsye është vendosur që ai të mos luajë me Kombëtaren “A”. Kuzhe e vëzhgoi në takimin që përfundoi në barazim 2-2 dhe tashmë kërkon t’u japë një shans të tjerëve. Kjo, edhe për faktin se në repartin sulmues presin të testohen edhe Parid Xhihani dhe Ahmed Januzi, dy prej emrave të rinj të skuadrës, ndërsa në mesfushë një shans mund të ketë edhe lojtari i Laçit, Emiljano Veliaj. Pas dy ditëve pushim, kuqezinjtë do të grumbullohen sot në orën 12.00.

Top Channel