Albert Bunjaku ka një shans botëror

28/05/2010 14:30

Ëndrra e Albert Bunjakut për të luajtur në Kupën e Botës mund të realizohet. Dëmtimi i sulmuesit të Bazelit, Marko Streler, ka bërë që kosovari të ketë shanse reale për të qenë në përfaqësuesen zvicerane në Afrikën e Jugut.

26-vjeçari i lindur në Gjilan ndodhet në listën e pritjes së trajnerit Otmar Hicfeld, në rast se ndonjë prej lojtarëve të repartit ofensiv do të dëmtohej.

Konkurrenti direkt i sulmuesit të Nurembergut është 18-vjeçari Nasim Ben Khalifa. Mediat kanë bërë të ditur se Streler pësoi një dëmtim muskulor në stërvitje me përfaqësuesen helvete dhe pas vizitave të stafit mjekësor u përcaktua se ai nuk do të jetë në gjendje të marrë pjesë në Botërorin 2010.

Kjo bën që Bunjakut, i cili e mbylli sezonin me 12 gola në Bundesligën gjermane, t’i hapet “drita jeshile” për aktivitetin më të rëndësishëm për kombëtare. Me Zvicrën në Afrikën e Jugut do të udhëtojnë dy kosovarët Valon Behrami e Xherdan Shaqiri.

Top Channel