Shqipëria, për rezultat me Malin e Zi

25/05/2010 11:00

Pas afro katër orëve rrugë, përfaqësuesja shqiptare “zbarkoi” në tokën malazeze. Stërvitja e fundit përpara miqësores me Malin e Zi u zhvillua gjatë pasdites së djeshme në Podgoricë, ndërsa tashmë është gjithçka gati për ndeshjen.

Skuadrat zbresin në fushën e lojës në orën 20.15, ndërsa takimi do të transmetohet “direkt” në paketën “SuperSport” në platformën “DigitAlb”. Duke parë nivelin e kundërshtarëve, Josip Kuzhe do të hedhë në fushën e lojës formacionin më të mirë. Lorik Cana do të sakrifikohet sërish në qendër të mbrojtjes, ku përkrah tij pritet të aktivizohet Armend Dallku.

Ndërkohë, Debatik Curri mund të testohet në mesin e fushës, përkrah të konfirmuarve Skela, Duro e Bulku. Dyshja e sulmit si zakonisht do të përbëhet nga Salihi e Bogdani, me këtë të fundit që mbetet pikë referimi për skuadrën, ndërsa shkodranin që vepron mbrapa tij. Trajneri Kuzhe, por edhe të gjithë futbollistët kuqezinj e kanë shprehur qartë se në Podgoricë luajnë për rezultat pozitiv.

Ujkani

Pas shumë ditësh pritje, më në fund portieri i Kombëtares ka marrë pasaportën belge. Pritja për të marrë këtë dokument ka bërë që Samir Ujkani të mos i bashkohet në kohë skuadrës për miqësoren me Malin e Zi (në pasaportën shqiptare nuk kishte vizë). Megjithatë, “gardiani” konfirmoi se nuk do të udhëtonte drejt Podgoricës për t’iu bashkuar skuadrës. Madje, prezenca e tij është në dyshim edhe për miqësoren e 2 qershorit në Tiranë përballë Andorrës.

“Më në fund pasaporta më erdhi, por ende nuk kam udhëtuar drejt Shqipërisë, apo drejt Malit të Zi për t’u bashkuar me Kombëtaren”, deklaroi 21-vjeçari Ujkani. “Nuk mund të them me siguri nëse do të jem i gatshëm për ndeshjen me Andorrën. Më parë do të flas me trajnerin Kuzhe dhe nëse ai do të më kërkojë të paraqitem, atëherë do të vij në Shqipëri”. Portierët e tjerë për këto dy ndeshje janë Isli Hidi dhe Ervin Llani.


Kundërshtari

Edhe pse është një skuadër shumë e re në arenën ndërkombëtare (debutimi zyrtar është regjistruar në vitin 2007), Mali i Zi pozicionohet më lart se Shqipëria në renditjen e FIFA-s. Skuadra e drejtuar nga Zlatko Kranjcar klasifikohet në vendin e 65, ndërsa Shqipëria ndodhet 15 vende më poshtë, në vendin e 80. Ylli i skuadrës është Mirko Vuçiniç: sulmuesi 26-vjeçar i Romës në Serinë A mban edhe shiritin e kapitenit.

“Shqipëria është një skuadër që nuk duhet nënvlerësuar. Na pret një ndeshje e vështirë, por kërkojmë fitoren. Humbja është gjithmonë e dhimbshme”, tha Vuçiniç. Mes yjeve të tjerë të skuadrës janë Stevan Jovetiç, talenti i Fiorentinës i ndjekur nga disa prej klubeve më të mëdha europiane dhe Simon Vukçeviç i Sportingut të Lisbonës. Shqipëria dhe Mali i Zi janë përballur vetëm një herë më parë: më 22 shtator 1946, ku kuqezinjtë fituan 5-0 në Shkodër. Miqësorja e sotme do të luhet në impiantin kryesor të vendit fqinj, “Podgorica Siti Stadium”, i cili ka kapacitet prej 17 mijë vendesh.

Top Channel