Hyka: Dua të iki nga Mainci

22/05/2010 11:35

Kishte shkëlqyer në të gjitha skuadrat ku ka luajtur. Por aventura e fundit në Bundesligë, te Mainci, ka rezultuar një dështim. Bëhet fjalë për talentin Jahmir Hyka, i cili pas dy sezonesh në radhët e skuadrës gjermane (por shumë pak i aktivizuar), tashmë duket i bindur, se do të jetë në të mirë të tij largimi nga ky ekip.

Kishte shkëlqyer në të gjitha skuadrat ku ka luajtur. Por aventura e fundit në Bundesligë, te Mainci, ka rezultuar një dështim. Bëhet fjalë për talentin Jahmir Hyka, i cili pas dy sezonesh në radhët e skuadrës gjermane (por shumë pak i aktivizuar), tashmë duket i bindur, se do të jetë në të mirë të tij largimi nga ky ekip.

Ai u transferua te Mainci (asokohe në Bundesligë 2) në verën e vitit 2008, si një lojtar premtues për të ardhmen e kësaj skuadre. Por që në fillimet e tij nuk mundi të fitonte besimin e trajnerit, i cili e “gozhdoi” për shumë kohë në stol. Gjatë sezonit në ligën e dytë gjermane, ai mundi të aktivizohet vetëm në 5 ndeshje. Po i njëjti fat e ndoqi të riun shqiptar edhe në sezonin e dytë (2009-2010) në Bundesligën I. Nga 34 ndeshje në dispozicion, Hykaj u aktivizua në 8 takime, nga të cilat vetëm 2 i nisi në fushë nga minuta e parë, por nuk i mbaroi kurrë.

Ndërsa në të tjerat u aktivizua si zëvendësues. Në mbyllje të sezonit të fundit, ai u deklarua jashtë planeve të klubit dhe kështu, zgjedhja e vetme që iu dha, ishte të luante me skuadrën amatore të Maincit, ose të kërkonte një skuadër te re, edhe pse ka një kontratë të vlefshme deri në qershor të 2011. Kjo situatë i ka lënë një shije të hidhur Hykës, i cili shpreh dëshirën për t’u larguar. “Sigurisht që jam i mërzitur, sepse nuk kam luajtur aq sa duhet, ka rrëfyer mesfushori 22-vjeçar. Ua kam thënë edhe drejtuesve të klubit, që më mirë të gjej skuadër tjetër. Edhe ata më kanë kuptuar dhe janë dakord që të largohem”. Ai pranon se klubi ka shpenzuar për të, ndaj dhe nuk dëshiron, që talenti shqiptar të largohet gratis. Por “fshehja” e tij me urdhër të trajnerit në stol, nuk e ndihmon këtë kërkesë të klubit gjermane. “Fatkeqësisht, kam luajtur shumë pak, që do të thotë, se e kam të vështirë të gjej një skuadër të gatshme për të shpenzuar shumë para për mua. Ky fakt më pengon për të ardhmen”, shpjegon Hyka. Por kjo periudhë e zezë e tij te Mainci duket se nuk ndikon te Kombëtarja: “Me Kuzhen kam biseduar hapur. Kam përkrahjen e tij në Kombëtare, madje më ka thënë, që aktivizimi i paktë te Mainci nuk ka ndikuar në përfaqësimin tim në Kombëtare. Sigurisht që edhe ai dëshiron të luaj sa më shumë”, përfundon Hyka.

Top Channel