Vllaznia, Fushaj largon stafin teknik

20/05/2010 14:10

Vetëm pak çaste pas ndeshjes Vllaznia-Teuta, në të cilën shkodranët humbën me rezultatin 0-2, drejtuesit në “Loro Boriçi” kanë shkarkuar nga detyra stafin teknik.

Trajneri Edi Martini, zëvendësi i tij, Esat Rakiqi dhe Avenir Dani janë larguar nga stoli kuqeblu për paaftësi në drejtimin e skuadrës. Presidenti Valter Fushaj nuk e ka pranuar humbjen në javën e fundit me Teutën, një ndeshje të cilën shkodranët kërkonin ta fitonin për të larë hesape të vjetra me bregdetarët.

Madje, nga burime pranë klubit të kryeqendrës së Veriut është mësuar se njëshi i klubit ka hyrë në dhomat e zhveshjes gjatë pushimit mes pjesëve të takimit, duke pretenduar vetëm fitore. Për të motivuar futbollistët, ai ka vendosur edhe një shpërblim në rast të marrjes së tri pikëve. Megjithatë, në fushën e lojës nuk ka ndodhur ajo që kërkohej: Vllaznia është shfaqur e paangazhuar, edhe sepse nuk kishte më asnjë objektiv të mbetur dhe ka pësuar dy gola të shpejtë.

Por, masat e presidentit Fushaj dhe bashkëpunëtorëve të tij nuk do të ndalen vetëm me largimin e stafit teknik. Në ditët në vazhdim, do të studiohen pamjet e ndeshjes dhe pritet edhe “fshesa” në skuadër. Lojtarët, të cilët nuk janë paraqitur mirë kundër Teutës, nuk do të jenë më pjesë e kuqebluve për sezonin e ardhshëm.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA