Kombëtarja, sot nën urdhrat e Josip Kuzhe

19/05/2010 12:20

Kombëtarja shqiptare do të nisë sot grumbullimin për dy miqësoret e ardhshme, të cilat do të shërbejnë për të përzgjedhur kontingjentin në prag të eliminatoreve të Euro 2012.

Gjatë pasdites, lojtarët që aktivizohen në kampionatin shqiptar, por edhe ata që militojnë në disa prej ligave europiane do të vihen nën urdhrat e trajnerit Josip Kuzhe. Për dy sfidat miqësore me Malin e Zi, më 25 maj në Podgoricë dhe Andorrën, më 2 qershor në Tiranë, skuadrës kuqezi do t’i bashkohet edhe portieri i Laçit, Ervin Llani.

Ai bëhet elementi i gjashtë i ri që trajneri Kuzhe afron në skuadër pas mbrojtësit Ditmar Bicaj, mesfushorit Emiljan Veliaj dhe sulmuesve, Bekim Bala, Ahmed Januzi dhe Parid Xhihani. Skuadra do t’i zhvillojë seancat stërvitore në Luz, fshatin pranë Kavajës, ndërsa të premten është programuar një miqësore me përfaqësuesen U-19.

Top Channel