I jepet lamtumira e fundit Besian Idrizajt

19/05/2010 12:00

Ishte talent i spikatur dhe kishte një ëndërr, shanset e realizimit të cilës ishin të mëdha. Besian Idrizaj kishte shprehur dëshirën për të luajtur me kombëtaren e Shqipërisë dhe ky ishte misioni i tij i madh.

Kishte kontaktuar nëpërmjet menaxherit të tij me trajnerin Josip Kuzhe, i cili kishte premtuar t’ia jepte një mundësi. Po priste lajmin për të veshur fanellën e Kombëtares, por më 15 maj 2010 zemra e tij ndaloi së rrahuri përgjithmonë, duke ndërprerë në mes ëndrrat e një djaloshi të talentuar, të dashuruar pas futbollit.

22-vjeçari u nda nga jeta të shtunën në mëngjes në apartamentin e prindërve të tij në Linz të Austrisë. Pas këtij rasti tragjik, familja e Idrizajt, vendosi ta varrosë të ndjerin në atdhe, Kosovë. Për këtë arsye, Mijëra e mijëra qytetarë nga e gjithë Kosova kishin marrë dje rrugën drejt fshatit Kodriq të Pejës, për t’i dhënë lamtumirën e fundit ish-futbollistit 22-vjeçar.

Mes atyre, që nuk i përmbanin dot lotët për këtë tragjedi, ishin edhe drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), drejtues të Komunës së Pejës dhe shoku i skuadrës te Suansa Siti në divizionin e dytë anglez, Shefki Kuqi, vëllai i tij, Njaziu, por edhe futbollistë të tjerë që aktivizohen në Superligën e Kosovës. Lajmi për ndarjet nga jeta të Besianit tronditi të gjithë shqiptarët, në Kosovë, Shqipëri e më gjerë, por edhe futbolldashësit në Angli, Austri etj.

Dhimbja është e madhe dhe do të lërë gjurmë për aq kohë sa topi do të rrokulliset mbi tokë. Besian Idrizaj, i lindur më 12 tetor 1987 në Baden bei Wien, afër Vjenës e filloi karrierën në vitin 2003 me ekipin LASK Linz, ku shënoi tre gola në 35 paraqitje. Paraqitjet e tij të mira tek ekipi nga Linzer Stadion dhe në Euro 2004 për U-17,  bënë që ai të zgjidhej “Futbollisti i ri më i mirë” në Austri, ndërsa kjo iu shpërblye me transferim në Liverpul në vitin 2005.

Ai kurrë nuk luajti me ekipin e parë të Liverpulit, përpos një ndeshjeje miqësore, kur pati shënuar tre gola për 26 minuta. Më pas pati disa eksperienca si huazim në ekipet nga Championship, Luton Toun (2006/07) dhe Krystal Palase (2007/08). Më pas, në janarin e vitit 2008, ai u huazua sërish te klubi austriak Vaker Innsbruck. Idrizaj, i cili e ka veshur 12 herë bluzën e përfaqësueses U-21 të Austrisë, është aktivuar edhe me amatorët FC Eilenburg Oberliga Sud gjermane. Për një periudhë të shkurtër ishte pjesë edhe e Blekbërn Rovers, para se të transferohej në Suansa Siti në verën e 2009. Në total ka luajtur 56 ndeshje zyrtare, duke shënuar 5 gola, por kishte spikatur me talentin e tij.

Tifozët e skuadrës së Suansa Citit e kanë nderuar ish-lojtarin e tyre, duke vënë lule pranë Liberty Stadium. Fedrata Austriake (ÖFB) i bëri homazhe Idrizajt, i cili ka qenë sulmues i U-21 të këtij vendi, ku shihej si një nga talentet më premtues. Drejtuesit austriakë të futbollit kanë vendosur të mbahet një minutë heshtje në nder ish-lojtarit të LASK Linz dhe Liverpulit, para miqësores së sotme në Klagenfurt ndaj Kroacisë. Po ashtu, një minutë heshtje për të u mbajt edhe në Kosovë para ndeshjeve të javës së 30. Ndërkohë që nga FSHF nuk ka asnjë lëvizje në këtë drejtim, përveç ngushëllimeve për familjen e talentit, edhe për shkak se zyrtarisht Idrizaj nuk kishte pasaportë shqiptare dhe nuk ishte bërë ende pjesë e Kombëtares kuqezi.

Top Channel