Nallbani: Europa League nuk duhet parë si ngushëllim

18/05/2010 11:25

Fitorja e Besës në finalen e Kupës së Shqipërisë ndaj Vllaznisë dhe vendi i katërt në renditjen aktuale të skuadrës i garantojnë Tiranës pjesëmarrjen e sigurt në edicionin e ardhshëm eliminator të Europa League.

Për bardheblutë, kjo arritje vjen si një “dhuratë” e bukur në fund të një sezoni, i gjithi për t’u harruar. Por edhe brenda skuadrës ka nga ata që mendojnë se pjesëmarrja në Kupën e Europës, nuk duhet të shihet si një ngushëllim për Tiranën.

Zëri kritik, që vjen nga brenda klubit, është i veteranit Blendi Nallbani, portierit 38-vjeçar, i cili vështirë të ketë përjetuar sezon më të keq qëkurse është pjesë e skuadrës bardheblu (plot 13 edicione). Njeriu, i cili në moshën vetëm 17-vjeçare shkeli barin e stadiumit të famshëm anglez, Uemblli, si futbollisti më i ri i huaj, që zbriste në këtë tempull për të luajtur si pjesë e një Kombëtareje, nuk e fsheh zhgënjimin nga paraqitja e dobët e skuadrës në këtë edicion.

Në pjesën e parë të sezonit u pa një Tiranë, e cila lundroi për shumë kohë në fundin e tabelës, përkrah Vllaznisë. Ndërkohë që vetëm në pjesën e dytë, me pak sforco, rekordmenët kampionë të Shqipërisë (plot 24 herë fitues të titullit) mund të vënë nderin në vend, duke u ngjitur në gjysmën e parë të tabelës së klasifikimit. Tashmë kur duhet edhe një ndeshje që të ulet sipari i kampionatit shqiptar, bardheblutë janë të katërtit, me pikë të barabarta me Laçin e vendit të tretë (51 pikë), dhe e kanë në xhep biletën drejt Europa League.

Për portierin, kjo nuk duhet të kënaqë askënd. “Megjithëse siguruam pjesëmarrjen në Europë, ky nuk mund të quhet si ngushëllim për ne, u shpreh Nallbani. Duhet që klubi të lëvizë dhe të punojë më shumë për të ardhmen. Të krijojë ekipin e duhur, që në sezonin e ri të mos ndodhemi sërish në këtë situatë”. Një gjë e tillë është e qartë edhe për drejtuesit e lartë të klubit, të cilët trajnerit Starova në momentin e emërimit të tij, i dhanë si kusht ndërtimin e skuadrës së sezonit të ardhshëm.

Top Channel