Dinamo përgatit festën e titullit

18/05/2010 11:25

Dinamo përgatit festën e titullit numër 18 në histori. Drejtuesit e klubit kryeqytetas kanë menduar që ndeshja e së mërkurës kundër Besës të mos jetë thjesht një përballje futbolli.

Në mënyrë që festimet të marrin përmasa sa më të mëdha, blutë vendosën që tifozët të hyjnë pa biletë në stadiumin “Qemal Stafa”. Për mbështetësit që do të festojnë së bashku me skuadrën e drejtuar nga Shkëlqim Muça do të shpërndahen bluza, shalle e flamuj, ndërsa përpara, gjatë dhe pas takimit do të organizohet një koncert muzikor. “Dinamo kurorëzohet kampione e Shqipërisë për sezonin 2009-’10. Ju ftojmë të gjithëve në stadium, për të qenë pjesë e historisë, së titullit të 18-të blu…!”, ishte thirrja për të tërhequr sa më shumë fansa.

Megjithatë, ende nuk mund të thuhet me siguri sa interes do të tërheqë kjo ngjarje, edhe për faktin se kampionati i Dinamos ka përfunduar përpara një muaji. Ata e fituan matematikisht titullin që prej 21 prillit, në takimin e javës së 29-të ku humbën në shtëpi me Teutën, me rezultatin 1-2. Për më tepër, ecuria e skuadrës në fazën e tretë të kampionatit ka ndikuar në largimin e tifozëve nga stadiumi. Tetë humbje (7 prej të cilave radhazi) dhe vetëm një fitore e një barazim e kanë shkatërruar sezonin e kryeqytetasve. Blutë kishin realisht shansin që ta shndërronin këtë titull në një ngjarje historike, madje duke regjistruar një ecuri që do të ishte e vështirë për t’u përsëritur në elitën e futbollit shqiptar. Gjithsesi, me “dhuratat” dhe mungesën e impenjimit të shfaqur gjatë këtyre muajve, vlerat e triumfit janë zbehur. Gjithçka ka filluar që prej javës së 25-të, kur duke parë diferencën prej 18 pikësh nga ndjekësja më e afërt (Besa) edhe lëshimet e rivalëve direkte, edhe dinamovitët kanë zbritur në fushë thjesht për formalitet. Takimi i së mërkurës, edhe pse nuk do të ketë grintë, pritet të jetë më spektakolar se ndeshjet e deritanishme. Dinamo dhe Besa i kanë mbyllur të gjitha llogaritë në këtë sezon, duke fituar respektivisht titullin dhe Kupën, e me lojën në fushë ndoshta do të zgjedhin të bëhen pjesë e festës.

Zyrtarizimi si kampionë nuk e ka zbehur interesimin e drejtuesve në merkato. Përveç prurjeve me elementë nga Argjentina, të cilët do të vijnë së bashku me trajnerin Luis Manuel Blanko për ndeshjet në Champions League, objektiva janë edhe dy lojtarët e Kombëtares, Ansi Agolli dhe Ervin Bulku. Ndërkohë, “divorci” nga tekniku Muça duket fakt i kryer. Arkitekti i skuadrës që për dy faza dominoi kampionatin nuk do të ketë kohë as të festojë titullin, sepse do të shqyrtojë ofertat nga klubet e tjera, ku një mundësi mbetet rikthimi në shtëpinë e tij, Tirana.

Top Channel