Hetim dhe ndëshkime për goleadat e dyshimta

17/05/2010 11:20

U desh të prisnim një sezon të tërë për të parë goleada në kampionatin shqiptar.

Gjithçkaje i parapriu ndeshja e së premtes Besa-Gramozi 6-4 në Superiore. Por kjo u përsërit në mënyrë jashtë mase të ekzagjeruar në Kategorinë e Parë, ku në vetëm dy ndeshje u shënuan 22 gola: Elbasani-Bylis 8-4 dhe Kamza-Turbina 10-0. Dhe më e çuditshmja qëndron në faktin se të gjithë këto gola, nga 8 gola për secilën ndeshje janë shënuar vetëm pas minutës së 70.

Deri në ato momente bëhej fjalë për rezultate normale. Dhe pas kësaj nuk ka se si të mos dyshosh. Tashmë nuk është më e fshehtë. Dyshimet e mëdha për trukimin e këtyre dy rezultateve të Kategorisë së Parë janë konfirmuar nga vetë FSHF, nëpërmjet shefit të Sektorit të Garave, Ilir Shulku.

Një fakt i çuditshëm që shton mjegullën që mbështjell këto dy takime, është se në rastin më të mirë të një kundërshtari të pamotivuar, në një ndeshje normale nuk do të mjaftonte vetëm koha fizike për të realizuar 6 gola në Elbasani-Bylis dhe 6 të tjerë në Kamza-Turbina, të gjithë vetëm në 10 minutat e fundit të lojës, kur dihet se nga momenti i shënimit të një goli në një tjetër, në rastin më të mirë do të nevojiteshin të paktën 2 minuta për të nxjerrë topin nga rrjeta, për ta çuar në mesin e fushës, fërshëllima për ta nisur lojën, për të bërë normalisht 2-3 pasime dhe më pas për të shënuar.

Po ashtu askush nuk mundet ta besojë se Bylisi, i cili nuk ka pësuar 8 gola në të gjithë fazën e dytë, i lejoi vetes një gjë të tillë në një ndeshje të vetme. Të dyja skuadrat fituese dhe me pikë të barabarta, Elbasani edhe Kamza, ishin në garë me njëra-tjetrën për kualifikimin direkt në Superiore dhe vetëm goleadat e tilla mund t’i bënin të konkurronin, a thua se përballë nuk kishin kundërshtar. Shqetësim për këtë ngjarje të rrallë ka shfaqur menjëherë edhe Federata Shqiptare e Futbollit, e cila mësohet se do të mbledhë sot urgjent Komisionin e Disiplinës.

“Ne jemi të informuar për çfarë ka ndodhur dhe do të kërkojmë të marrim masat tona, sqaron shefi i Garave, Shulku. Mbi bazën e të dhënave të gjyqtarëve, vëzhguesit dhe të deleguarit të ndeshjes, Komisioni i Disiplinës do të marrë vendimet”. Tashmë në korridoret e FSHF-së kanë filluar të përfliten edhe masat e ashpra që mund të merren ndaj protagonistëve. Nëse do të kemi të bëjmë me ndëshkime, atëherë janë një numër i madh skuadrash të cilat do të jenë në qendër të “furtunës”, duke filluar nga Bylis, Elbasani, Kamza, Turbina. Masat më të përfolua janë: Sezonin e ardhshëm do ta nisin me një kuotë të mirë pikësh të zbritura, por mund të shkohet edhe deri te zbritja një kategori më poshtë.

Ky nuk është rasti i parë në kampionatin shqiptar të futbollit. Ka ndodhur edhe në vitin 1993 në Kupën e Shqipërisë. Në atë kohë, Kupa luhej fillimisht në grupe dhe në njërin prej tyre, ku merrnin pjesë katër skuadra: Tirana, Elbasani, Dinamo e Vllaznia u pa e njëjta histori si të shtunën në Kategorinë 1. Tirana fitoi 8-1 me Elbasanin, ndërsa Dinamo-Vllaznia 0-5. Falë golavarazhit u kualifikua Tirana. Por FSHF nuk i mori parasysh këto rezultate.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA