Lorik Cana, ylli shqiptar i Sandërlendit, përfundon sërish në qendër të merkatos.
Për të interesohet Arsenali i Arsen Venger. Lajmin e bën të ditur një faqe sportive në internet, që qëndron pranë “Gunnersave”, “JustArsenal.com”. Cana, i cili konsiderohet si një objektiv interesant i Vengerit, ka qenë në shënjestrën e Arsenalit edhe gjatë verës së kaluar.
Ai pëlqehet nga tifozët e “Topçinjve”, të cilët u tronditën pas kalimit të tij te Sandërlendi për vetëm 5 milionë sterlina. Te “Macet e Zeza” ai zhvilloi një sezon të shkëlqyer.
Gjithçka do të jetë më e qartë, kur Cana të rikthehet në Angli, pasi për momentin ndodhet në Kosovë ku po kalon pushimet me familjen. Por ende nuk është e sigurt, nëse trajneri Stive Brus do të lejojë që të largohet kapiteni i tij.
Top Channel