Malaria mund të mos jetë një vatër infeksioni në vendin tonë, as mushkonja mund të mos fluturojë në territorin shqiptar, megjithatë masat janë marrë njësoj sikur të ishim në rrezik.
“Duke qenë se malaria ka një periudhë inkubacioni deri në një vit, ende nuk dihet nëse ka të afërm apo persona të tjerë, të cilët mund të jenë të prekur nga kjo sëmundje, megjithatë, kampionë ekzaminimesh u janë marrë prindërve, të afërmve, shokëve të cilët kanë pasur më shumë kontakt me pacientin 17-vjeçar, që aktualisht është izoluar në spital”, tha drejtori i Politikave Shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero.
Sipas tij, kjo ka qenë një nga masat e marra, si dhe janë dhënë udhëzimet për dezinfektimin e menjëhershëm të fshatit Zallher nga autoriteti shëndetësor rajonal. Drejtori i Politikave ka sqaruar se në kuadrin e masave janë marrë kampionë gjaku dhe janë dërguar për ekzaminime edhe mostrat e të afërmve, prindërve, shokëve dhe personave që kanë qenë më pranë pacientit me malarie, 17-vjeçarit nga Zallheri.
Aktualisht pacienti 17-vjeçar është konfirmuar të jetë i prekur nga malaria, por pritet që nëpërmjet të dhënave operative nga laboratori i Romës të mbërrijnë përgjigjet e sakta, nëse bëhet fjalë për një nëntip i cili është rezistent ndaj ilaçeve apo jo.
Nisur nga kjo, dyshimet, por edhe masat që nevojiten, sipas Ministrisë së Shëndetësisë po kërkohet të realizohet një studim dhe hetim epidemiologjik, për të marrë të dhënat e sakta si dhe për një përgjigje korrekte nëse mushkonja që pickoi 17-vjeçarin ishte rezidente në Greqi, apo ndodhet me “banim” edhe në vendin tonë. Sakaq, mjekët e infeksionit, por edhe strukturat shëndetësore, kanë dhënë siguri se vendi ynë aktualisht nuk ka asnjë vatër infeksioni, pasi dyshimet më të forta janë për importimin e sëmundjes nga Greqia. Pavarësisht kësaj, strukturat shëndetësore kanë sqaruar se infektimi apo rreziku për të pasur pacientë të tillë është i pranishëm, tashmë që bota është bërë e vogël dhe komunikimi është i shpejtë.
Dy ditë më parë, mjekët e shërbimit infektiv në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza”, kanë diagnostikuar një pacient në moshë 17-vjeçare me shenjat dhe të dhënat e sëmundjes së malaries. Menjëherë janë marrë kampionët e gjakut dhe janë dërguar për ekzaminime. Qendra spitalore universitare, “Nënë Tereza”, sqaroi dje se 17-vjeçari i prekur nga malaria kishte disa muaj që ishte kthyer nga Greqia. Ndërkohë që grupi i mjekëve që po kujdesen për rastin ka vendosur që pacienti të izolohet në repartin e Infektivit, në spitalin e Tiranës. Të dhënat, shenjat, simptomat, vërtetojnë që pacienti është i prekur nga malaria.
Shërbimi i Infektivit në Tiranë është një nga repartet e vetme në vend që mund të trajtojë, të mbajë nën mbikëqyrje dhe që zotëron infrastrukturën e nevojshme për të përballuar rastet me probleme të sëmundjeve infektive.
Sëmundja e malaries shkaktohet pas pickimit nga një mushkonjë e infektuar. Malaria është një sëmundje infektive, shkaktuar nga parazitët protozoarë. Është e përhapur në mënyrë të gjerë në vendet subtropikale, duke përfshirë vende si Amerika, Afrika, Azia. Çdo vit ka rreth 350-500 milionë raste me malarie, duke shkaktuar vdekjen e deri 3 milionë njerëzve, ku shumica prej tyre janë fëmijë nga zonat afrikane. Malaria shoqërohet me varfërinë.
Zakonisht, njerëzit infektohen nga malaria, pasi pickohen nga një mushkonjë e infektuar e gjinisë femërore, Anopheles.
Simptomat janë dhembje koke, vështirësi në frymëmarrje, takikardi. Ndërkohë që, simptoma të tjera janë ethet, temperatura, të vjella, rrufë dhe në raste të rënda kalon në koma dhe vdekje.
Top Channel