Rruga e Thethit “çlirohet” nga dëbora

15/05/2010 09:30

Hapet pas gjashtë muajsh bllokimi nga dëbora rruga nacionale e Thethit në Shkodër. Ky segment rrugor, çdo sezon fundvjeshte nisë të bllokohet nga dëbora, që është e pranishme deri në fund të pranverës.

Për shkak të lartësisë, relievit tepër të thyer, kjo zonë e thellë turistike mbetet e izoluar nga dëbora për një periudhë të gjatë.

Por fakti që gjatë gjithë kohës së sezonit të dimrit askush nuk kujdeset për rrugën, ka bërë që dëbora të mbivendoset duke çuar deri në izolim të zonës. Situata në këtë aks rrugor ka kaluar çdo parashikim, kur trashësia e dëborës këtë dimër arriti deri në pesë metër lartësi.

Madje ky aks rrugor është ndër të vetmit në Shqipëri, ku dëbora e mban të bllokuar për 6 muaj.

Ndërkohë puna për hapjen e rrugës së Thethit ka nisur prej dy javësh nga Ndërmarrja e Rruga-Urës. Kanë pritur mesin e muajit maj që dy mjete të rënda të nisnin punën për hapjen e rrugës.

Sipas drejtuesve të kësaj ndërmarrje, prezenca e dëborës së mbivendosur ka krijuar mjaft probleme serioze në punën për hapjen e rrugës. Veç kësaj, buzë rrugës është një greminë disa kilometra e thellë, që rrezikonte çdo moment punonjësit.

Bllokimi i rrugës ka ndikuar në turizmin malor që ofron zona e Thethit, pasi shumë turistë të huaj janë detyruar të kthehen mbrapsht për shkak të rrugës. Sipas statistikave, prej dy javësh çdo ditë janë kthyer të paktën 15 turistë të huaj.

Zona turistike e Thethit ndodhet në Alpet e Shqipërisë dhe frekuentohet mjaft prej turistëve të huaj. Çdo vit gjatë sezonit të pranverës dhe verës, zona e Thethit vizitohet nga mbi tre mijë turistë të huaj që udhëtojnë kryesisht nga Çekia, Polonia dhe Gjermania.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA