Lista me emrat e të kërkuarve nga ana e Maqedonisë, që i është dorëzuar ministrit të Brendshëm kosovar Bajram Rexhepi, ende nuk ka mbërritur në Policinë e Kosovës.
Megjithatë, zyrtarë policorë bëjnë të ditur se bëhet fjalë për persona që janë në kërkim edhe nga pala kosovare.
“Në bazë të udhëzimeve të MPB do të veprojmë që personat që ndodhen në atë listë, që kërkohen edhe nga ne, të arrestohen”, ka deklaruar zëdhënësja e PK, Sabrie Kamberi.
Ndërkohë, një zyrtar policor, i cili preferoi të ruante anonimatin, tha se pas vizitës së ministrit Rexhepi në Maqedoni do të thellohen marrëdhëniet policore mes dy vendeve.
“Para incidentit në Radushë, ku mbetën të vrarë 4 shqiptarë, autoritetet maqedonase kanë qenë të kufizuara në dhënien e informacioneve tek autoritetet kosovare”, ka deklaruar burimi.
Sipas tij, shmangia e trafikut të armëve në kufi me Kosovën u bë gjatë një kontrolli rutinë dhe jo pas informatave të mbledhura në rrugë operative.
Top Channel