Fier, thellohet mungesa për gjak

15/05/2010 09:20

Mungon gjaku në Punktin e Fierit, ndërkohë që skema e sigurimit të tij nëpërmjet dhuruesve me pagesë do të ndërpritet.

Lajmi bëhet i ditur nga shefja e Punktit të Fierit, Urani Gjermeni, e cila ka deklaruar se ka rënë ndjeshëm numri i dhuruesve, qofshin këta me pagesë apo vullnetarë.

“Edhe pse ka rënë ndjeshëm numri i dhuruesve me pagesë apo dhe vullnetarë, e po përballemi me krizën për gjak, kemi marrë vendimin e mossigurimit të gjakut nga dhuruesit me pagesë”, ka thënë shefja Urani Gjermeni.

Si shkak për ndërprerjen e skemës së sigurimit të gjakut nga dhuruesit me pagesë është cilësia e gjakut që merret nga kjo formë.

Shefja e Punktit të Fierit, Urani Gjermeni, ka thënë se “nuk mund të marrim më rezerva gjaku nga dhuruesit me pagesë, sepse këta dhurues mbartin riskun e përhapjes së mjaft sëmundjeve të rënda, sëmundjeve infektive etj”.

Kujtojmë se nga dhuruesit me pagesë aktualë ka pasur nga ata që kanë rezultuar, pas analizave të gjakut që u është marrë, mbartës të sëmundjeve infektive. Edhe pse nuk jepen detaje për ndërprerjen e skemës së dhurimit me pagesë, pikërisht rreziku i gjakut të infektuar shihet justifikimi i vetëm.

Jo vetëm shefja Gjermeni, por asnjë nga specialistët dhe bluzat e bardha të Punktit të Fierit nuk denjojnë të shpjegojnë faktin e rëndë pse u është marrë gjaku deri më tani atyre dhuruesve që nuk kanë qenë “të shëndetshëm”.

“Dhuruesit me pagesë paraqiten nga kushtet ekonomike për të dhënë gjak pa e ditur se kanë sëmundje të rëndë. Në këtë mënyrë ata rrezikojnë edhe personin që ka nevojë për gjak dhe e merr atë”, ka vijuar më tej shpjegimin e saj Gjermeni.

Bluzat e bardha të grupit spitalor të Fierit dhe aq më tepër ata që punojnë në Punktin e gjakut, kanë kohë që kanë dhënë alarmin për mungesë gjaku.

Shefja e Punktit, Urani Gjermeni, shprehet se sasia e gjakut që është në gjendje nuk përballon kërkesat e kësaj periudhe. Edhe rastet e emergjencave përballohen nga familjarët. Prej vitesh është ulur ndjeshëm numri i dhurueseve me pagesë dhe ata vullnetarë. Aktualisht dhuruesit me pagesë numërohen të jenë 15 persona.

Reduktimi i tyre ka të bëjë me pagesën e ulët prej 3500 lekësh për një flakon gjak, por edhe me edukatën për dhurim vullnetar që mungon. E ndërsa kërkesat për gjak janë të mëdha, përmbushja e tyre është e pamundur, aq më shumë që tani do të aplikohet sigurimi i gjakut vetëm në mënyrë vullnetare.

Kujtojmë se edhe Qendra Rajonale e Hemoglobinës dhe Hematologjisë në Lushnjë ku trajtohen të sëmurët talasemikë, ka mungesë të theksuar gjaku.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA