Ermal Kuqo dhe Efes në finalen e ligës turke

15/05/2010 13:50

Ermal Kuqo do të bëjë të pamundurën t’i shtojë “koleksionit” të tij një tjetër trofe. Basketbollisti shqiptar, i cili militon me Efes Pilsen, do të luajë në finalen e “play-off” të kampionatit turk.

Skuadra e 30-vjeçarit u kualifikua pas fitores 96-88 përballë Beshiktashit, duke e mbyllur serinë me shifrat 3-0. Në sfidën e fundit, Kuqo u aktivizua 19 minuta, ndërsa zhvilloi një paraqitje të mirë: ai realizoi 8 pikë, ndërsa falë gjatësisë 2 metra e 8 centimetra ishte mjaft efikas në fazën mbrojtëse, me 8 topa të pritur nën tabelë.

Në finale Efesi do të luajë kundër fitueses së çiftit Fenerbaçe-Banvitin. Me rikthimin te klubi nga Stambolli, basketbollisti i lindur në Korçë, duket se është rikthyer në formën e tij më të mirë. Ai shpreson që të rifitojë vendin në përfaqësuesen turke, të cilën e zgjodhi në verën e vitit 2004 përpara Kombëtares shqiptare.

Fitimi i titullit kampion do të ishte përgjigjja më e mirë për trajnerin Bogdan Tanjeviç, i cili e la Kuqon jashtë Kampionatit Europian që u zhvillua disa muaj më parë në Poloni. Ky do të ishte trofeu i tretë i Kuqos me ngjyrat e Efes Pilsen në ligën turke, pas atyre të sezoneve 2003-2004 dhe 2004-2005.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA